PËRSE VAZHDON LUFTA KUNDËR VITIT 1981? IV-Shkruan:Bedri Halimi

Teoritë konspirative si strehë e argumentit të dobët

Kur mungojnë faktet, zakonisht shtohen dyshimet. Kur mungojnë provat, fillojnë hamendësimet. Ndërsa kur mungon argumenti bindës, në skenë dalin teoritë konspirative. Kjo nuk është një dukuri e veçantë e historisë shqiptare. Është një mekanizëm i njohur i debatit politik dhe ideologjik në shumë vende dhe në shumë periudha historike.

Pikërisht për këtë arsye, edhe ngjarjet e vitit 1981 nuk mund t’i shpëtonin këtij fenomeni. Që nga ditët e para të demonstratave e deri në ditët tona, janë prodhuar versione të ndryshme, shpeshherë edhe tërësisht kundërthënëse, mbi autorësinë e tyre. Herë është pretenduar se ato i organizoi UDB-ja. Herë është përmendur KGB-ja. Herë janë akuzuar shërbimet sekrete të Shqipërisë së atëhershme. Në raste të tjera janë përmendur agjenci të ndryshme perëndimore. Në disa variante, këto teori madje bashkëjetojnë, ndonëse logjikisht e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Vetë kjo mjafton për të ngritur dyshime mbi besueshmërinë e tyre.

Nëse një ngjarje u atribuohet njëkohësisht disa qendrave të ndryshme të fuqisë, të cilat kishin interesa të kundërta dhe shpesh ishin në përballje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, atëherë lind pyetja e natyrshme: a kemi të bëjmë me një analizë serioze apo me një përpjekje për të krijuar mjegull rreth fakteve?

Historia nuk mund të ndërtohet mbi supozime. Ajo kërkon dokumente, burime të verifikueshme dhe një lidhje logjike ndërmjet provës dhe përfundimit. Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet kërkimit shkencor dhe teorisë konspirative. Shkenca historike fillon me dokumentin dhe përfundon te interpretimi. Teoria konspirative e ndjek rrugën e kundërt: ajo fillon me përfundimin e dëshiruar dhe më pas përpiqet të gjejë elemente që, sipas saj, mund ta mbështesin atë.

Në rastin e demonstratave të vitit 1981, një pjesë e këtyre teorive kanë një tipar të përbashkët: ato nuk përpiqen të shpjegojnë pse mijëra studentë e qytetarë dolën në rrugë, por kërkojnë të gjejnë një “dorë të padukshme” që i paskësh shtyrë ta bënin këtë. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për ngjarjet zhvendoset nga shkaqet reale politike, ekonomike dhe kombëtare te një aktor misterioz, i cili nuk mund të provohet.

Por një qasje e tillë lë pa përgjigje pyetjet themelore.

Nëse demonstratat qenkan organizuar nga shërbime sekrete, atëherë si shpjegohet pjesëmarrja masive e studentëve dhe qytetarëve në qytete të ndryshme të Kosovës?

Si shpjegohet vazhdimësia e rezistencës edhe pas valës së arrestimeve dhe dënimeve?

Si shpjegohet fakti që mijëra të rinj pranuan burgje shumëvjeçare, internime, përjashtime nga universiteti dhe ndjekje të pandërprera, pa u tërhequr nga bindjet e tyre?

Si shpjegohet se organizatat e fshehta shqiptare kishin vepruar shumë kohë përpara vitit 1981 dhe vazhduan veprimtarinë edhe shumë vite pas demonstratave?

Asnjë teori konspirative nuk u jep përgjigje bindëse këtyre pyetjeve.

Në të kundërt, ato shmangin pikërisht atë që duhet të shpjegojnë: shkaqet reale që prodhuan pakënaqësinë shoqërore dhe politike në Kosovë.

Askush nuk e mohon se gjatë Luftës së Ftohtë shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme ndiqnin me kujdes zhvillimet politike në Jugosllavi. Po aq e vërtetë është se çdo shtet përpiqej të siguronte informacion, të ndikonte ose të shfrytëzonte zhvillimet në favor të interesave të veta. Kjo është pjesë e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Por nga ky fakt nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se një lëvizje politike është krijuar prej tyre.

Ky është një gabim metodologjik.

Të vëzhgosh një proces nuk do të thotë ta krijosh atë.

Të përpiqesh ta shfrytëzosh një zhvillim nuk do të thotë ta kesh organizuar atë.

Të depërtosh në një organizatë nuk do të thotë të jesh autori i ekzistencës së saj.

Historia njeh shumë raste kur shërbimet sekrete kanë infiltruar lëvizje politike, organizata ilegale ose grupe rezistence. Por asnjë historian serioz nuk e barazon infiltrimin me krijimin e vetë lëvizjes. Përndryshe, do të duhej të pranonim se pothuajse asnjë lëvizje shoqërore në botë nuk ka pasur karakter autentik.

Kjo logjikë e çon analizën në absurditet.

Në rastin e Kosovës, ekziston një fakt që teoritë konspirative nuk arrijnë ta rrëzojnë: demonstratat e vitit 1981 nuk lindën në një vakuum historik. Ato ishin rezultat i një procesi të gjatë politik, ekonomik dhe kombëtar. Pabarazia kushtetuese, prapambetja ekonomike, diskriminimi në përfaqësim, statusi juridik i Kosovës dhe kërkesa e artikuluar prej vitesh për republikë përbënin një realitet të prekshëm, të dokumentuar dhe të përjetuar nga shoqëria shqiptare.

Kur ekzistojnë shkaqe të tilla objektive, kërkimi me çdo kusht i një organizatori të fshehtë nuk është shpjegim historik. Është shmangie nga historia.

Në të vërtetë, teoritë konspirative kryejnë një funksion shumë të përshtatshëm për ata që nuk dëshirojnë të ballafaqohen me realitetin. Ato e zhvendosin debatin nga pyetja “Pse ndodhën demonstratat?” te pyetja “Kush i organizoi?”. Kështu, shmanget analiza e shkaqeve dhe zëvendësohet me një kërkim të pafund për fajtorë të padukshëm.

Ky mekanizëm nuk është i ri. Ai është përdorur nga shumë regjime autoritare për të shmangur përgjegjësinë politike. Kur një pushtet nuk dëshiron të pranojë se pakënaqësia buron nga politikat e veta, ai përpiqet ta paraqesë atë si produkt të armiqve të jashtëm. Në këtë mënyrë, nuk vihet më në diskutim politika e pushtetit, por ekzistenca e një komploti.

Mirëpo historia e Kosovës nuk mund të shpjegohet me teori komplotesh. Ajo mund të kuptohet vetëm duke analizuar shkaqet konkrete që e shtynë një brez të tërë të kërkonte ndryshime rrënjësore politike.

Prandaj, barra e provës nuk u takon atyre që pranojnë karakterin autentik të demonstratave të vitit 1981. Barra e provës u takon atyre që pretendojnë se pas mijëra studentëve, punëtorëve, intelektualëve dhe qytetarëve qëndronte një regji e fshehtë. Në histori nuk mjafton të ngresh dyshime. Duhet t’i provosh ato.

Deri atëherë, teoritë konspirative mbeten jo një alternativë e historisë, por streha e fundit e argumentit të dobët.

Vazhdon

/QendraPress/