AGK kërkon proces të ri për drejtor të televizionit në RTK: Emërimi i Gërvallës, konflikt interesi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”.Sipas tyre, rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional.“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet në komunikatën e AGK.