Vëllai i Mon Balajt: Dhimbje e rëndë se u vranë 7 vjet pas lufte

                                  Fahri Balaj, vëllai i Mon Balajt, i vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, tha se dhimbja për Monin është e rëndë, për shkak se ai u vra 7 vjet pas përfundimit të luftës. Ai thotë se e kujtojnë me krenari vëllain e tij që kontribuoi në shtet ndërtim, raporton Ekonomia Online.

Në një deklarim për medie, Balaj tha se Monin e kanë mbështetur çdo herë, teksa shpreh dhimbjen për mënyrën sesi janë vrarë ish-aktivistët e VV-së.

“Të dyajt janë, edhe dhimbja edhe krenaria. Dhimbje sepse 7 vjet pas lufte vritesh për një të drejtë që ne mendojmë që është e garantuar, e drejta e protestës, është e dhimbshme. Krenari sepse mendojmë që rrugëtimi për bërjen e shtetit gjithmonë ka sakrifica dhe ne ishim në atë rrugë e sipër, pra Moni e Arbeni kishin zgjedhur këtë rrugë, ne si familje i kemi mbështet dhe i kujtojmë me nder dhe respekt përherë”, tha ai.

Balaj beson se do të ketë drejtësi për vëllain e tij, ndonëse nuk e pret shumë shpejt. Ai thotë se pengesë për drejtësi është prejardhja e policëve të cilët shtien në drejtim të Monit, shtet ky që nuk e njeh Kosovën.

“Ne mendojmë që mund te vonohet sepse rrethanat janë të tilla dhe shteti prej nga vijnë policia që kanë shtënë mbi Monin dhe Arbenin janë të një shteti që nuk na njehë. Dhe me gjasë janë tu e përdorë atë ikje deri më tani nga drejtësi dhe ne besojmë që drejtësia do të ngadhënjejë”.