Tërmetet në Turqi e Siri: Shpëtimtarët gjermanë dhe austriakë ndërpresin punën, shkak situata e sigurisë

                                               Mbi 25,000 njerëz janë konfirmuar tani të vdekur pas tërmeteve në Turqi dhe Siri. Ekipet e shpëtimit nga Gjermania dhe Austria kanë ndërprerë operacionet e tyre për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.Ekipet gjermane dhe austriake të shpëtimit kanë pezulluar operacionet në Turqinë juglindore, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, teksa rajoni po lëkundet nga tërmeti shkatërrues që goditi zonën këtë të hënë. Tërmeti u pasua nga pasgoditje të shumta.“Mund të shihet se pikëllimi ngadalë po ia lë vendin zemërimit,” tha të shtunën drejtori i operacioneve për organizatën gjermane të ndihmës ISAR Steven Bayer, shkruan DW. ISAR dhe Agjencia Federale e Gjermanisë për Ndihmën Teknike (THW) thanë të shtunën se po ndalonin punën e tyre pas trazirave në provincën e Hatay. THW dhe ISAR ia atribuan situatën “mungesave ushqimore dhe furnizimit problematik me ujë në zonën e tërmetit”.Një zëdhënës i ushtrisë austriake tha gjithashtu se kishte pezulluar operacionet e saj të shpëtimit në Turqi për shkak të një përkeqësimi të “situatës së sigurisë”.“Ka një agresion në rritje midis fraksioneve në Turqi,” tha nënkoloneli Pierre Kugelweis i Forcave të Armatosura Austriake.Njësia austriake e ndihmës ndaj fatkeqësive ka ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Hatay që nga e marta. Ata u mbyllën në kampin e tyre bazë derisa situata u përmirësua.“Ne do të dëshironim të vazhdojmë të ndihmojmë, por rrethanat janë ato që janë,” tha Kugelweis.