Veliu: Shpejt do të nisin patrullimet e përbashkëta të KFOR-it dhe Policisë përgjatë kufirit me Serbinë
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot ka zhvilluar takim pune me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Majorin Michele Risi, me të cilin ka diskutuar për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës, njofton Insajderi.
Sipas Veliut, komandanti i KFOR-it ka vlerësuar lartë takimin, duke u shprehur se takimet e tilla janë të mirëseardhura.
“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”.
“Aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave”, ka thënë ai.
Veliu tutje shtoi se ka kërkuar që patrullime të përbashkëta të KFOR-it të ri-fillojnë edhe me Policinë e Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit nga ana e Gjenralit Risi.
“Mirëpres, faktin se në të kaluarën janë organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të ri-fillojnë edhe në ketë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e Gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla”.
“Në fund të takimit u dakorduam që KFOR-i dhe Policia e Kosovës të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë”, ka përfunduar Veliu. /Insajderi.com/