Fryma poetike e së dielës me poeten;-Albina IDRIZI

Bëj ç’të bësh, dil nga legjenda

Letër

—————

Nëna nuk është mirë, vëlla

shpeshherë ngre dorën

dhe të fshin ballin

thua se nuk je kaq detra larg.

E ndien edhe ti?

Sepse, krahë më të gjatë se të nënës

e sy më të thellë se të sajtë

unë kurrë nuk kam pa.

Të kujtohet si na rrëfente baba

për zemrën e nënës në dorën e djalit

që klith nga dhimbja

kur ai rrëzohet?,

nëna e jonë paska qenë.

Po ajo që mban digën e skamjes

dhe nuk e ndal këngën

të mos e trembë vërshimi

lumturinë e fëmijëve?,

nëna e jonë paska qenë.

Gjithë nënat që dijmë, gjithandej

nëna e jonë paskan qenë.

Nganjëherë i vë gishtin gulçeve,

të mos na dëgjojnë lulet, thotë

dhe çuditem nga i ka mësuar

metaforat e poezisë sime.

Kërkon vazhdimisht të mbajmë

derën hapur,

(ti e di, nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura),

dhe se kujt i hakërrehet –

lërini të vijnë, të vijnë, të vijnë….

lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë…

pastaj sërish nga fillimi.

Po e mbaroj këtu, vëllaçkoja im,

por tani që erdha në fund,

nuk di

të shkruajta për nënën

apo për Kosovën.

P.s.

Bëj ç’të bësh, dil nga legjenda

/www.QendraPress.com/