Fryma poetike e së mërkurës me  poetin;-Hazir LUTA

NË LIQENIN E ËNDRRAVE

———————————

Mbi lakoret e lakuriqësisë së saj

Si flaka e kuqe e zjarrit që s’thyhet

Shemben ndjenjat si copa kristali

Kam përshtypjen që dridhet dhe mali

E bie curril si krua avulli, kur shkrin akulli

Rreth barkushes së zemrës.

Vullkani i heshtur shpërthen kodrave

Prej atje rrjedh si ujëvarë zjarri i dashurisë

Mes për mes tyre si llavë e nxehtë malli

Gjëmimi jehon qiellit të mëndafshtë

Tek i ledhaton puplat me frymën e nxehtë

Përplasja e trupave si anija me valët n’det

A mund ta ndjeni prekjen e qiellit

Provoni ta parafytyroni për një çast

Unë e kam prekur qiellin n’perëndim

Sa herë ajo më hidhej n’përqafim

Fluturonim bashkë n’planetin e lumturisë

E hëna i lante flokët në liqenin e ëndrrave.

/QendraPress.com/