Nis operacioni për 8-vjeçarin e zhdukur në Gjilan, kërkimet po bëhen edhe me dronë

Nis operacioni për 8-vjeçarin e zhdukur në Gjilan: Kërkimet po bëhen edhe me dronë
E plotësuar: Mentor Maloku, nënkryetar i Shoqatës për Kërkim – Shpëtim, ka dhënë një deklaratë lidhur me zhvillimin e kërkimeve përkatëse.
Ai theksoi se operacionet po realizohen me ndihmën e dronëve dhe se kërkimet janë duke u zhvilluar fillimisht në një perimetër më të ngushtë, me planin për ta zgjeruar më tej kërkimin në zona të tjera.
Maloku shtoi gjithashtu se ekipi është i fokusuar edhe në kontrollimin e shtëpive dhe objekteve të pabanuara si pjesë e këtij procesi.
“Në vendin e ngjarjes janë policia po i presim të vijnë edhe pjesëtarët e FSK-së. Operacioni i kërkimit po zhvillohet në qytetin e Gjilanit”, theksoi ai.
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka nisur një operacion kërkimi për gjetjen e 8-vjeçarit Alp Krasniqi, i zhdukur në qytetin e Gjilanit.
Përmes një njoftimi në Facebook të dielën, Shoqata bëri të ditur se ekipet e saj janë angazhuar në terren dhe po punojnë intensivisht në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qytetarët për lokalizimin e fëmijës.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ju njofton se kemi filluar një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Gjilanit për gjetjen e një fëmije të zhdukur”.
“Ekipet tona janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivit në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe komunitetin për lokalizimin sa më të shpejtë të fëmijës,” thuhet në njoftim.
SHKKSH ka ftuar qytetarët që posedojnë ndonjë informacion të vlefshëm të kontaktojnë autoritetet përkatëse ose Shoqatën në numrin emergjent: 045-112-102.
Po ashtu edhe Valon Osmani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, konfirmoi se tashmë kanë nisur kërkimet.
“Kërkimet po vazhdojnë nga të gjitha njësitet. Ka edhe mobilizim të qytetareve”, tha shkurt Osmani.
Saranda Lutfiu, ka njoftuar në Facebook se Alp Krasniqi është me autizëm. Sipas saj, ai është larguar nga shtëpia më 27 prill 2025, rreth orës 15:30, dhe që nga ajo kohë nuk është parë më.
Familjarët, të shqetësuar thellësisht, kanë ngritur alarmin dhe po bëjnë thirrje për ndihmë nga qytetarët që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij./Telegrafi/