Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYQI

Kthimi përmes vargut

——————————-

Unë s’e lashë Çamërinë

as Nishin, Mollën e Kuqe

ato më dëbuan mua

në kufijtë e një vaji

pa emër

pa flamur

pa varr për t’u përkulur

Paramithia, emër i puthur me lot

më del përpara si nuse e vrarë

me gjurmë të gjakut nën fustan

dhe me dritën e syve të fikur

kur bota ktheu shpinën

dhe Zoti iku

Por unë jam këtu

kam mbetur fjalë që s’mund ta burgosin

kam mbetur këngë që nuk harrohet

kam mbetur amanet

Dhe do kthehem

bashkë me vargun tim

në çdo fletë do ta thur Çamërinë

në çdo këngë Mollën e Kuqe

derisa toka të hapet

dhe s‘paku t‘më fal

një varr

ShB, në përvjetorin e Gjenocidit ne Çamëri

/QendraPress/