Nisin punimet për renovimin e Stacionit të Autobusëve në Prizren

Punimet për rregullimin e infrastrukturës dhe renovimin e objektit të Stacionit të Autobusëve në Prizren po vazhdojnë me intensitet të shtuar, duke synuar përmirësimin e kushteve për udhëtarët dhe operatorët e transportit publik.
Ky projekt përfshin një gamë të gjerë veprimesh: renovimin e objektit ekzistues të stacionit, fasadimin e mureve të brendshme dhe të jashtme, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe izolimin e kulmit ekzistues.
Për më tepër, është parashikuar ndërtimi i një objekti të ri për pritoret e autobusëve, si dhe rregullimi i hotelit dhe restorantit brenda stacionit, përcjell Telegrafi.
Projekti përfshin gjithashtu instalimin e të gjitha sistemeve të reja makinerike, elektrike dhe ujësjellës–kanalizim, duke përmirësuar funksionalitetin dhe sigurinë e ambientit.
Autoritetet lokale dhe kontraktuesit e projektit po theksojnë se puna po zhvillohet me ritëm të lartë për të garantuar që stacioni i rinovuar të jetë funksional dhe modern në shërbim të qytetarëve.