Vargje brilante të poetit:Gëzim AJDERAJ

ATDHE–DASHURIA

——————————–

Në emër të atdheut ngritën fjalë si shpata,
me rrashtin e tyre e prenë ajrin,
e çanë udhët e mendjes së lodhur,
e i bënë burrat të rrinë drejt,
edhe kur zemra u lëkundte si fletë vjeshte.

Thonin: për tokën, por në tokë mbillnin hije,
thonin; për popullin, por populli mbetej zbathur,
si një foshnje e lënë në shkurrnajë.

Vrapuan shumë
të shtynin flamujt në majë,
jo për dritë, po për emër,
për emër që zinte më shumë hapësirë,
se vetë fryma që merrnin.

Dhe në atë ngasje të çmendur,
karriket u dukeshin lëkurë ari,
e lëkura e popullit,
një fletë e hollë bore, që shkrinte në pëllëmbë,
pa u ndier nga asnjë dorë.

Ah, Kosovë…
sa pak të kemi dashur,
në ditët kur të kemi kërkuar më shumë.

Se atdheu nuk rritet me britma,
por me heshtjen fisnike, të atyre që e punojnë si tokën,
pa kërkuar as lavdi, as ulëse,
as duartrokitje.

Atdheu është dashuri, ajo që nuk thuhet me shpatë,
as me bajrak, po me shpirt që s’ka nevojë për dëshmi.

Dhe ti, Kosovë,
pret ende të të duam,
me duar që s’kërkojnë plaçkë,
me zemra që digjen për dritë,
jo për karrige.

/QendraPress/