Nis festivali ballkanik “Opoja Vallëzon”, Bresana mirëpret ansamble nga rajoni dhe Evropa

Në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit ka nisur edicioni i tetë i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Valleve “Opoja Vallëzon”, i cili ka mbledhur ansamble folklorike nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera evropiane. Nata e parë e festivalit u karakterizua nga interpretime me valle dhe këngë tradicionale, ku grupet pjesëmarrëse prezantuan trashëgiminë kulturore të vendeve që përfaqësojnë, duke sjellë një atmosferë festive para publikut të shumtë. Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, e cilësoi hapjen e festivalit si një moment të veçantë për komunën dhe për promovimin e kulturës.
“Me emocione dhe krenari sonte hapëm natën e parë të edicionit të tetë të Festivalit Ballkanik të Folklorit të Valleve ‘Opoja Vallëzon’, ku ansamblet pjesëmarrëse nga vendi, rajoni dhe më gjerë shfaqën performancën e tyre me valle e këngë, duke dëshmuar se arti është ura më e bukur që i bashkon popujt”, ka deklaruar Xheladini. Ai ka falënderuar ansamblet pjesëmarrëse, organizatorët dhe publikun për kontributin në mbarëvajtjen e natës së parë të festivalit.“Ky ishte vetëm fillimi. Dy netët në vazhdim na presin me emocione të shumta, interpretime të bukura dhe befasi që do ta bëjnë këtë festival edhe më të paharrueshëm”, ka shtuar Xheladini.Festivali “Opoja Vallëzon” do të vazhdojë edhe më 25 dhe 26 korrik në Bresanë, me pjesëmarrjen e ansambleve nga Kosova, Shqipëria, Arbëreshët e Italisë, Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Polonia dhe Kroacia/QendraPress/