Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike pastrojnë  Sheshin Shadërvan

  Drejtori i Shërbimeve Publike  Islam Ukimeri njofton se ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike janë duke e pastruar Sheshin Shadërvan, në mënyrë që ky ambient të jetë sa më i pastër dhe i këndshëm për të gjithë.

Falë investimeve të Komunës së Prizrenit në rregullimin dhe mirëmbajtjen e Sheshit Shadërvan, Prizreni po përjeton sezon të jashtëzakonshëm turistik, duke mirëpritur çdo ditë numër rekord vizitorësh nga e gjithë bota.

Prandaj, është përgjegjësi e përbashkët që qytetin tonë ta mbajmë të pastër dhe ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kemi vërejtur se disa biznese po i lënë mbeturinat para lokaleve në qese plastike, shpesh të dëmtuara dhe jashtë orarit të grumbullimit.

Si pasojë, qeset shqyhen, rrjedhin yndyrna dhe mbeturina, duke e ndotur sheshin që çdo ditë përpiqemi ta mbajmë të pastër.

Ju lutemi, mbeturinat vendosini në kosha plastikë dhe nxirrini vetëm në orarin e përcaktuar nga Eko Regjioni.

Le ta ruajmë së bashku qytetin tonë. Në të kundërtën, do të detyrohemi të ndërmarrim masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk i respektojnë këto rregulla.