Çaste poetike me penën brilante të;-Gëzim AJGERAJ

KUR MALLI BËHET RRUGË
————————————————–
Kam pirë, pikë për pikë, shafranin e verdhë të mallit,
dhe çdo pikë më ka lënë, një vjeshtë brenda shpirtit.
Cucërr i heshtur nën hijen e Alpeve,
kam mësuar se largësia, nuk matet me udhë,
por me sa herë zemra, kthehet e s’gjen derën.
Mbi supet e mia, vjeshta ka varur mjegullat e saj,
dhe bora, para se të bjerë mbi male,
ka zbritur në flokun tim.
Na zbardhi koha, pa na pyetur nëse ishim gati
të bëheshim kujtim.
Herë me një këngë të thyer mes buzëve,
herë me prushin e heshtur, të netëve pa kthim,
i dogjëm një nga një stinët ton, jo se s’i deshëm,
por sepse koha, është një zjarr që nuk di të falë.
Dhe shpirtin e mbajtëm, si një kandil në erë,
me flakën të përkulur nga frymët e largësisë.
Atdheun e fshehëm në gji, si një farë që nuk pranon të vdesë,
aty thurëm ëndrrat e së nesërmes, me fijet e një shprese,
që shpesh dukej, më e largët se qielli.
Ndoshta një ditë, në ndonjë udhë të harruar,
do të ndizen shkëndijat e kthimit
dhe rrugët do të na njohin përsëri
nga hapat që dikur, i lamë përgjysmë.
Do t’i mbathim këpucët e kthimit
me duar që dridhen nga kujtesa,
dhe do të ecim, jo drejt një vendi,
por drejt vetes, sepse njeriu, ndoshta,
gjithë jetën kthehet te ajo pjesë e shpirtit
që e la dikur pas.
Tani vjeshta e vonë, është mbytur në pikëllim.
Lisat mbajnë mbi degë heshtjen e emrave tanë,
ndërsa fjala, sapo del nga zëri, shkon e prehet
në varrezën e harrimit.
E megjithatë, nën hijen e lisave,
ku koha humbet gjurmët, ka ende një pritje.
Ndoshta kthimet e vonshme, nuk janë vonë.
Ndoshta vetëm duhet, të plaket malli,
derisa të bëhet rrugë, të heshtë dhimbja,
derisa të bëhet urtësi, dhe zemrapasi të ketë humbur gjithçka,
të kuptojë më në fund se atdheu nuk është vetëm vendi,
ku kthehen këmbët, është vendi ku shpirti,
nuk ka reshtur kurrë së prituri.
2026
/QendraPress/