MSH-së i kërkohet të vendosë në listën esenciale të barnave medikamentet anti-Covid
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazemend Syla, ka thënë se ajo çfarë ai ka deklaruar se qytetarët po marrin hua dhe kredi për ti përballuar mjekimin nga Coronavirusi, është realitet.
Ai ka thënë se ka informacione për disa raste kur qytetarët janë detyruar të marrin kredi deri në 1000 euro për të përballuar shpenzimet për mjekim nga COVID-19.
“Unë po tregoj një realitet me atë se me ka po përballen qytetarët për trajtimin e COVID-19. Qytetarët e Kosovës, të cilët kanë kushte të rënda po obligohen me marr hua, ata që janë në pune edhe me marr kredi, dhe ndihmat nga Diaspora, ata që kanë familjarë atje”.
“Por telashja më e madhe është për ata qytetarë që nuk janë të punësuar ose nuk kanë familjarë në Diasporë. Problemi është se si këta kanë mundësi që mi siguruar qindra euro për më trajtuar këtë sëmundje e të cilët nuk janë të shtrirë në spitale. Ata duhet që të gjitha shpenzimet duhet t’i mbulojnë më shpenzime të vet”, ka thënë Syla.
Ai ka thënë se ministri Zemaj, sikurse ish- ministri Vitia më shumë po interesohen për marketing dhe po luajnë rolin e zëdhënësit të Instituti Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës, se sa që po merren me problemet e qytetarëve.
Syla ka thënë se Kosova ka fonde për të siguruar medikamentet kundër COVID-19 për qytetarët. Sipas tij Ministria e Shëndetësisë duhet t’i fusë në listën esenciale të barnave, ato për mjekim nga Coronavirusi.
“Kemi fonde të mjaftueshme dhe mendoj që shumë prej medikamentet që e mjekojnë këtë virus të futen në listën esenciale që ka MSH-ja dhe QKMF-të, dhe mos të ngarkohen me një barrë tjetër qytetarët të cilët edhe ashtu janë në kushte të rënda. Ministrat e Shëndetësisë më shumë janë bërë zëdhënës të ISHKPK-së, se sa që po merren me problemet e qytetarëve”, ka deklaruar Syla.