Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike sërish në Kuvend
Edhe sot në rend dite të seancës së Kuvendit do të jetë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Seanca do të nisë në orën 10:00.
Në mungesë të kuorumit javën e kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Në seancën e kaluar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike ishin përplasur lidhur me mos votimin e këtij Projektligji.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi kishte thënë se, kjo Qeveri nuk ka asnjë vullnet që ta miratojë këtë Projektligj, pavarësisht që opozita ka shpreh vullnet për bashkëpunim.
“Koalicioni qeveritar është i paaftë për me kaluar çfarëdo vendimi në Kuvend. Këta që janë sot në Qeveri kanë refuzuar me diskutuar për Pakon Financiare që i ndihmon qytetarët. Prej datës 7 prill nuk kanë qenë të gatshëm të diskutojnë për mundësinë për tejkalimin e situatës së rëndë të njerëzve duke ju mundësuar mi marr pagesat prej Qeverisë. Në muajt e fundit ka pasur vullnet prej opozitës, PDK-së veçanërisht që të gjejmë një rrugëdalje për t’i harmonizuar qëndrimet, asnjë vullnet s’ka ekzistua prej Qeverisë, veçanërisht LDK-së”, kishte thënë Krasniqi, shkruan Telegrafi.
E pas kësaj deklarate, kishte reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke thënë se në tri seancat e fundit u ka bërë ftesë publike opozitës që t’i sjellin me shkrim propozimet që kanë dhe se ata do t’i marrin parasysh.
Po ashtu, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se, Qeveria nuk duhet të pret nga opozita që të sigurohen votat për ta kaluar këtë Projektligji.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj në seancën e fundit ka bërë thirrje tek të gjithë deputetët që të japin votën e tyre që Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike të kalojë në lexim të parë.
Haradinaj ka thënë se Projektligji duhet të kalojë në lexim të parë e më pastaj mund të plotësohet.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/