Abdixhiku: Qeveria po e ngulfat sektorin privat 

                                Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po ofron mbështetje të mjaftueshme për sektorin privat.Abdixhiku ka thënë se me krizën energjetike që ka goditur Kosovën, shpenzimet e kompanive janë rritur, e në anën tjetër, fitimi është zvogëluar.“Kriza energjetike që goditi Kosovën në muajt e verës ka bërë që shpenzimet e kompanive të rriten dhe fitimi të zvogëlohet. Qeveria Kurti nuk ka planifikuar dhe nuk ka bërë mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, dhe si rezultat kemi ndërprerjet. Kështu, për kompanitë, kjo do të thotë se investimet që janë paraparë të bëhen në zgjerim të biznesit duhet të presin ditë më të mira”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite që ka bërë në një nga kompanitë vendore. Abdixhiku gjithashtu përmendi që LDK ka një plan 10-pikësh për përballimin e krizës së energjisë elektrike. Plan që ofron zgjidhje edhe për sektorin e biznesit në Kosovë, që të kalojnë sa më lehtë krizën të cilën nuk po e zgjidhë qeveria e papërgjegjshme dhe e paaftë. Ai tha se pika 9 e planit parasheh themelimin e bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri ku do të mundësohet tregtimi i lehtë dhe i shpejtë i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona. “Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, ka thënë i pari i LDK-së.