Çaste poetike me poeten;-Nezi Plaku VELAJ

U çmalla, por nuk u ngopa O nanë!
————————————-
A e din ti.., se unë mbrëmë me ty në ëndërr
u çmalla…?
u çmalla, por nuk u ngopa,
e nxora mllefin mbledhur si lëmsh që mbyt.
Pashë fytyrën tënde të shndritshme,
llamburiste si farfuri,
më shëmbëlleve me hënën, me diellin,
me kaltërsinë e qiellit,
më shëmbëlleve me gjithë galaktikën.
Rreth teje…, ishin mbledhur plot yje,
Yje ishit të gjithë,
shkëlqenin mijra drita fosforishente,
i verbuan sytë e mi.
O nanë!…! O perëndesha ime!
pashë,
që i kishte mbledhur rreth vetes,
klloçka zogjt e saj,
Sa bukur është të flasësh me ëngjëjt!
E ti o nanë.., tek u pamë sy më sy,
e zgjate dorën,
e shtrive krahun deri në pafundësi,
u stërgjate…,
deri sa më preke,
më mbështolle rreth vetes,
më fute në gji…
sa shumë folëm me heshtjen,
me mallin,
me mallëngjimin,
me dhimbjen,
me hallet,
të dyja…, të dyja e thyem heshtjen që na mban larg,
në largësi.
Pastaj…,
u zhyta në humnerën e natës,
u gjënda në pusin mallit,
më përpiu të tërën afshi i nanës,
qesha e qava,
u fundosa në pellgun e lotëve,
m’u rrënqeth mishi deri nënlëkurë,
më dogji zjarri i mallit me flakë kashte,
ai zjarr që lë shenja në shpirt,
ai zjarr që mban emrin më të bukur,
magjia e dashurisë nënë e bijë.
O nana ime e mirë!
O hyjnesha ime!
Mbretëresha e qiejve dhe tokës!
O dielli im…!
Aty, për çudi…!
Gjithçka u shëndrrua si më parë,
në shtëpinë me gurë,
ku rrinim dikur fëmijë,
ku u rritëm,
ku qamë e qeshëm,
në atë vënd,
në linfën e tokës time që bulëzon jetë e klorofilë,
ku ti…,
na udhëzoje,
na tregoje rrënjët,
rrugët,
kthesat.
Për çudi!
Po ata njerëz e mbushën zbrazësinë,
po ata zëra gumëzhinin në paqe,
E mua…?
mua më zuri gjumi në pëqi,
mollëzat e gishtave të tu,
ledhatonin lehtë flokun.
Teksa po flija…
… hëna u largua, më la hijen,
më la mantelin e saj të hirtë,
më la erën më të mirë,
ëmbëlsirën e mjaltit,
aromën e manxuranit,
më të preferuarat – e luleve të nanës.
Natën e mirë nana ime!
U prehtë në Parajsë shpirti yt i bukur,
i ngrohtë beharë!
Sot në ditën e nënës,
Këto vargje janë dedikim për të
gjitha nënat që prehen në parajsë.
/QendraPress/