Çaste poetike me poeten ;-Valbona HOTI

Në Heshtjen që Flet

————————————-

Ndonjëherë nata më rri mbi supe

si një pallto e rëndë

Rrugët heshtin,

por mendimet bëjnë zhurmë

si lumenj të trazuar.

Në dritaren time

hëna varet si lot i bardhë,

e zemra

një zog që kërkon qiellin e vet.

Kam parë njerëz

që buzëqeshin me plagë në sy,

dhe fjalë

që vrasin më shumë se heshtja.

Koha ecën zbathur

mbi kujtime të thyera,

duke lënë pas

gjurmë që nuk i fshin as shiu.

Por unë ende mbledh dritë

në grushtet e lodhura,

siç mblidhet pranvera

pas një dimri të gjatë.

Sepse jeta

nuk është vetëm stuhi

ajo është edhe lulja

që çel në mes të gurit.

Dhe kur rrëzohem,

më ringre shpresa,

si dielli

që çdo mëngjes

fiton mbi errësirën

/QendraPress/