Çaste poetike me poeten:-Zanë MEHMETI

Arti i të qenit ende
————————–
Ishte e zeza
mbase, edhe e hirta.
Gjithçka përreth
i kishte harruar ngjyrat.
Koha, çastet, fryma, hapësira…
gjithçka rridhte pa më prekur.
Një penel spërkati
pak ngjyra mbi pëlhurë.
Në fillim, nga pak,
pastaj më shumë,
pastaj, edhe më shumë…
Dhe unë, që kisha harruar
si ndihet një ngjyrë,
fillova ta besoja ndryshimin.
Por… peneli u pendua.
I lau ngjyrat me harresë,
derisa pëlhura u kthye
në heshtjen e saj të vjetër.
Çdo agim, e muzg
ato orbita të vogla, simetrike,
e përshkojnë të njëjtën rrugë,
pa zhurmë,
pa pyetur çfarë ka mbetur
nga zjarri.
Vazhdoj me një rregullsi
që askush nuk e vë re,
me një qetësi
që nuk di të tregojë,
sa shumë rëndon.
Peneli u tret në amnezinë e ujit.
Drita mbeti larg.
Tani e gëlltis si koncept,
e njoh nga emri,
e thërras në mendje,
por nuk e ndiej
të më arrijë deri në palcë,
si atëherë.
Herë pas here,
vizatoj një rrahje zemre
mbi pëlhurën e heshtur,
që askush të mos e dëgjojë,
sa thellë ka rënë heshtja.
Mbi këtë pëlhurë
të lodhur nga fshirjet,
mbi këtë të zezë, a të hirtë,
që nuk di të bëhet fund,
unë lë ende një shenjë.
Një vijë… një pikë… një frymë.
Diçka që nuk dëshmon,
se jam mirë,
as, se jam shuar.
Në mes gjithë kësaj
heshtjeje të ngurtësuar,
ka ende diçka tek unë
që nuk pranon të fshihet.
Dhe pëlhura…
pëlhura refuzon,
refuzon të vdesë.
/QendraPress/