Çaste poetike me poeten:-Laureta MALAJ

KJO BOTË

————————-

Kjo botë na la pas

në stacione të harruara,

aty ku pritja

kishte ende emrin e shpresës.

Na mori mallin

që dikur e ruanim si flori,

na vodhi mendimet

që lindnin në heshtje

dhe na la në duar

fjali të bukura nga jashtë.

Kjo botë

na mësoi të numërojmë gjithçka,

veç rrahjeve të zemrës

kur na mungon dikush.

Na mbushi ditët me zhurmë

e zemrat të ngrira,

dhe netët me ekrane

që nuk ngrohin askënd.

Tani ecim mes turmash

që flasin pa u dëgjuar,

mes sysh

që shohin pa u ndalur te njeriu.

Dhe kërkojmë copëza të vetes nëpër rrugë,

si udhëtarë që kanë humbur

hartën e shpirtit.

/QendraPress/