Çaste poetike me poeten:Gerta Bandilli Becka 

Duart e tua——————– Duart e tua janë më të bukurat në botë sepse kujdesen për mua.

Egoizmi im vdes për përkëdhelje të lehta, të buta,

të ethshme dhe për vargjet

që shkruan mbi lëkurën time të brishtë që e vesh

sa herë të shoh ty.

Duart e tua janë të vetmet që puth,

me buzën e dridhur nga malli i mungesave të gjata

dhe janë duart më të bukura në botë,

duart e tua që mbajnë dritën e yjeve çdo mbrëmje,

që mbajnë peshën e kohës me

lehtësinë e Atlasit që mbajnë

kaq shumë dashuri sa djegin puthjen time

dhe nuk rebelohen kurrë,

njëlloj si një flutur e brishtë

që i afrohet dritës së një ylli.