Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

MIZANTROPËT E ZHVLERËSIMIT
——————————————
Me zhelet, hilet dhe etjen e tyre të paetshme
ata zgjohen e flenë çdo natë.
Nuk pyesin për rrënjët e lisit,
por kërkojnë se te cili varg të fshehin kërrabëzën.
Se për të ligën e radhës u mjafton takati,
por për vlerësim të vërtetë duart u dridhen.
II.
Në mes të rrugës qëndrojnë tregtarët e zilisë,
mediokër që masin lartësinë e malit
me vizoren e tyre të thyer.
Ata tregtojnë djersën e huaj, trurin e tjetrit,
dhe çmimin e vënë sipas interesit të ditës.
Në pazarin e broçkullave,
kush u lutë më fort
shet vetveten më shtrenjtë.
III.
Por pyetja që shtrohet është kjo:
kush ua dha peshoren këtyre tregtarëve?
Kritika e tyre nuk ngre as nuk ul asgjë,
ajo thjesht tregon sa kushton sot mosdituria.
Prandaj le të flasin në pazar
lisi nuk pyet kërrabëzën
se si duhet të rritet.
/QendraPress/