E shtuna poetike me poetin;-Fatmir TERZIU

Kur miqtë i mbulon …heshtja
—————————————-
Sot trokita në derën e heshtjes,
i thashë: a je vetëm?
Ajo tha: Jo, jo!
Në prag rrinte një hije me flokë prej drite,
mbante mbi supe një mëngjes të palosur.
Unë thashë: a është pranverë?
Ajo tha: Jo, jo!
Unë thashë: çfarë është dritarja?
Ajo tha: sytë e mi.
Unë thashë: çfarë është era?
Ajo tha: fryma ime.
Unë thashë: çfarë është ora?
Ajo tha: rrahja ime.
Unë thashë: a ka më?
Ajo tha: Jo, jo!
Unë thashë: ku shkon lumi?
Ajo tha: aty ku kujtesa nuk lodhet.
Unë thashë: ku fle guri?
Ajo tha: në pëllëmbën e shiut.
Unë thashë: kush e zgjon shiun?
Ajo tha: një zog që nuk duket.
Atëherë kërkova miqtë e mi.
I gjeta ulur nën një pemë pa emër.
Mbi supet e tyre binte një borë pa qenë dimër.
Unë thashë: a jeni të mërzitur?
Ata thanë: Jo, jo!
Unë thashë: çfarë ju mbulon?
Ata thanë: ëndrra jonë.
Unë thashë: pse nuk zgjoheni?
Ata thanë: se ëndrra na mban zgjuar.
Unë thashë: çfarë është miku?
Ata thanë: pasqyra që nuk kërkon fytyrë.
Unë thashë: çfarë është fjala?
Ata thanë: buka që ndahet pa u prerë.
Unë thashë: çfarë është largësia?
Ata thanë: hija e një përqafimi.
Kur u largova, dielli nuk më ndoqi.
Mbeta vetëm me hijen time.
Unë i thashë: a do të vish me mua?
Ajo tha: jam gjithmonë përpara teje.
Unë thashë: po miqtë?
Ajo tha: ata ecin brenda ëndrrës.
Unë thashë: a do të kthehen?
Ajo buzëqeshi. Buzëqeshje që thjesht të ngroh.
Po largoj heshtjen, tha vetëm:
Po, po.
/QendraPress/