Escobar: Faktikisht e gabuar letra që Kurti i shkroi Blinkenit ku tha se Borrell e Lajçak po bashkëpunojnë me Rusinë kundër Kosovës

                              I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, ndërmjetësues edhe në negociatat Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, e ka ashpërsuar retorikën ndaj Albin Kurti, sidomos pas sulmeve të fundit të kryeministrit kosovar ndaj ndërmjetësuesve europian Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.Në një intervistë për gazetën serbo-amerikane “Pavlovic Today“, Escobar ka komentuar një letër që kryeministri kosovar Albin Kurti i ka dërguar shefit të diplomacisë amerikane, Antony Blinken, ku thotë se Borrell e Lajçak janë duke bashkëpunuar me Rusinë kundër Kosovës.Escobar i thotë Kurtit të mos humb kohë, dhe se kjo është faktikisht e gabuar, përcjell Gazeta Online Reporteri.net. “Epo, unë do t’ju them se letra është faktikisht e gabuar në atë që thotë se Lajcak dhe Borrell po bashkëpunojnë me Rusinë për të pasur një qasje të njëanshme kundër Kosovës. Por mund t’ju them se letra drejtuar Sekretarit Blinken, duhej t’i thoja stafit të Sekretarit nuk ishte e justifikuar. Nuk e di pse po e bën këtë.”“Unë e kam ndjekur procesin shumë, shumë nga afër dhe kam qenë i pranishëm në Bruksel gjatë shumë takimeve. Dhe mund t’ju them, nuk ka asnjë paragjykim atje.”

Ndërsa i pyetur se cili ishte mesazhi i tij për kryeministrin Kurti, Escobar e tha shkurt, “ju lutem mos humbni kohë”.

Escobar shprehu besimin e tij se marrëveshja në Ohër “në fakt i sjell përfitim Kosovës më shumë se Serbisë”, duke theksuar se kërkesat janë më kërkuese ndaj Serbisë sesa ndaj Kosovës.

Escobar, i pyetur për të ardhmen e dialogut duke pasur parasysh situatën aktuale tha se pavarësisht kësaj diplomacia nuk duhet të braktiset.

“Unë nuk do ta karakterizoja atë si një kolaps. Unë do të thoja se ne ishim të pasuksesshëm në afrimin e palëve. Megjithatë, sipas qëndrimit të administratës Biden, kjo nuk do të thotë që diplomacia duhet të braktiset”.

Në dritën e komenteve të fundit të shefit të politikës së jashtme të Evropës, Josep Borrell për hezitimin e dukshëm të kryeministrit Kurti për kompromis, Escobar u pyet nëse kryeministri Kurti vërtetë dëshiron të jetë pjesë e një zgjidhjeje diplomatike?

“Nuk mund të flas në emër të zotit Kurti. Por duket se ai po përpiqet të vendosë kushte për Bashkimin Evropian. Tani, nëse Kryeministri i një vendi me një milion e gjysmë banorë mund të jetë ai që do t’i diktojë kushtet një komuniteti transatlantik prej 700 milionë banorësh, mendoj se duhet të ketë pak realizëm në këtë marrëdhënie”, ka thënë Escobar.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Escobar tha se Kosova duhet ta themelojë atë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe se themelimi i tij është proces, gjë që nuk nënkupton se gjatë kësaj kohe nuk do të obligohet edhe Serbia t’i përmbush detyrimet e saj.

“Shikoni planin që propozoi Bashkimi Evropian, i cili mendoj se është shumë i drejtë. Të dyja palët duhet të fillojnë menjëherë zbatimin e kërkesave të tyre. Unë e di që në disa raste, Serbia dëshiron që Kosova të themelojë Asociacionin para se të ndërmarrë veprime nga ana e saj, dhe e di që Kosova ka propozuar që Serbia të përfundojë të gjitha pjesët e saj para zbatimit të Asociacionit. Por Asociacioni do të jetë një proces. Kështu që unë mendoj se ne duhet të fillojmë atë proces. Njohja e licencave të Kosovës, letërnjoftimet, dokumentet qeveritare, të gjitha këto janë pjesë e saj. Dhe duke trajtuar çështjen e strukturave paralele në kuadër të Asociacionit, mendoj se edhe ky është një proces. Kështu që unë besoj se ky proces duhet të fillojë tani. Ne ende presim që qeveria e Kosovës të tregojë se është duke ecur përpara në Asociacione”, ka thënë ndër të tjera Escobar. /Reporteri.net