Fryma poetike e së dielës me poeten;-Linda FANA

Unë jam shqiptare – dhe kjo është krenaria ime

——————————————————————

Nuk më pengon murgesha kur lutet me kryqin në gjoks,

As myslimania kur mbulon shpirtin me shaminë e saj.

Nuk më pengon flamuri i tjetrit,

Kur krenar e ngre për gjuhën dhe tokën e vet.

Pse atëherë të pengon veshja ime kombëtare?

Ajo nuk është urrejtje,

Nuk është thirrje kundër askujt,

Por kujtesë e rrënjëve të mia,

E gjakut, e djersës dhe e këngëve të stërgjyshërve.

Kjo veshje nuk përfaqëson fe,

As nuk mohon besimin e askujt,

Por mban aromën e tokës sime,

Të maleve, lahutës dhe flamurit kuq e zi.

Ne e veshim në festa kombëtare,

Në sport, në art, në politikë e gëzim,

Sepse identiteti nuk është turp,

Por trashëgimi që mbahet me krenari.

E dij mirë:

Nacionalizmi i verbër lind përçarje,

Sepse kur krenaria kthehet në urrejtje,

Ajo humb shpirtin e saj.

Por dashuria për kombin tënd

Pa nënçmuar tjetrin,

Është respekt për origjinën,

Dhe nder për atdheun

/QendraPress/