Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Zanë MEMETI

Një fron për askënd

———————————-

Avulli i kafesë, duke u ngritur nga filxhani,

duket si diçka që largohet

pa kthyer kokë, shikim.

E kuptoj, se më, s’ besoj në dashuri.

Jo, se zemra është bërë gur.

Gurët janë të kujdesshëm;

i ruajnë brenda vetes gjurmët e shiut,

hapat që i prekin, heshtjet e stinëve…

Njeriu është ai që harron më shpejt.

Dikur mendoja se dashuria

jeton në një vend të fshehtë,

si një dritë e mbështjellë me pëlhurë

që nuk shuhet nga erërat.

Takimet, nuk kërkojnë afërsi.

Kërkojnë pasqyrim.

Përqafimet e kanë

ftohtësinë e një çelësi që hap,

vetëm nga njëra anë.

Trupat, por jo gjithmonë botët.

Askush nuk pyet,

sa humbet njeriu kur jep pa masë.

Dashuria nuk shpëton.

Ajo zhvesh.

Ajo nxjerr në dukje, çfarë fle nën lëkurë:

unin, krenarinë, frikën e vetmisë.

Shumë njerëz nuk dinë të duan.

Dinë të kenë nevojë.

Dashuria është një kafshë nate,

që ushqehet edhe me dorën

që i sjell bukën.

Marrëdhëniet ngjajnë

me qytetet pas mjegullave:

drita të ndezura, rrugë plot zëra;

një lumë i padukshëm, mes dyersh e dyersh.

Të gjithë thërrasin, pak kush dëgjon.

Mbetet krenaria;

ajo shtëpi pa dritare,

ku njeriu mbron, me fanatizëm,

një fron të zbrazët.

Ndoshta kjo është tragjedia;

zemrat nuk thahen nga mungesa e dashurisë;

zemrat thahen kur uni pi, i pari,

nga secili burim.

/QendraPress/