Fryma poetike me poeten:- Florijana Kurtishi  JASHARI

Gjurmët e Dashurisë

—————————————-

Dashuria filloi me krijimin e njerëzisë,

nisi rrugëtimin me legjendat,

vazhdoi shkëlqimin mes lashtësisë,

dhe u këndua ndër shekuj nëpër zemrat.

U shkrua në gurë, në letra e në vargje,

u ruajt si amanet brez pas brezi,

u bë shpresë në ditët më të gjata,

dhe dritë kur bota mbulohej nga terri.

Në kohët e vjetra, dashuria ishte besë,

një fjalë e dhënë që s’kthehej pas,

ishte pritje, durim dhe shpresë,

një zemër që për një zemër rrihte pa masë.

Por erdhën ditët moderne, me botë tjetër,

ku ndjenjat shpesh maten me fitime,

ku “të dua” tingëllon si një premtim i vjetër,

dhe zemrat kërkojnë më shumë se

 veç dashuri — kërkojnë përfitime.

Sot dashuria shpesh ecën krah interesit,

dhe ndjenja shkelet kur s’ka më leverdi,

dikur dashurohej zemra për vetë zemrën,

sot pyetet: “Çfarë fitoj unë nga ti ?”

Megjithatë, diku ende ekziston ajo dashuri,

që s’ka çmim, as pazar, as kusht,

ajo që nuk ikën kur humbet pasuria,

dhe nuk shitet edhe kur bota bëhet e ftohtë.

Sado që koha ecën e ikin vitet,

rrugët ndryshojnë e stinët ndërrojnë,

shenja që dikur shpirtin e qetësoi,

në zemër mbetet e njëjtë përgjithmonë.

Sepse gjurmët e dashurisë nuk treten me kohën,

as nuk fshihen nga interesi i njerëzisë;

ato mbeten aty ku zemrat deshën sinqerisht,

si dëshmi se dashuria dikur ishte…

dhe ende mund të jetë dashuri.

/QendraPress/