Moti për tri ditët në vijim…

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java 20-24 korrik do të nisë me temperatura të larta, ndërsa nga e mërkura pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, e shoqëruar me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.
Sipas parashikimit nga IHMK, të hënën dhe të martën temperaturat maksimale do të lëvizin nga 29 deri në 33 gradë Celsius, me mot kryesisht me diell paradite dhe zhvillim të vranësirave pasdite, kur vende-vende priten reshje lokale shiu.
Nga e mërkura, depërtimi i një mase ajrore më të freskët do të ulë temperaturat maksimale në 23–26 gradë, ndërsa reshjet dhe rrebeshet me bubullima do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit.
Të enjten moti parashihet kryesisht me diell dhe pa reshje, ndërsa të premten rikthehen reshjet lokale të shiut, të shoqëruara me shkarkime rrufesh.