Njolla gjaku dhe tre fishekë u gjetën pranë vendit të ngjarjes, policia jep detaje shtesë për vdekjen e 26 vjeçarit në Suharekë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për vdekjen e 26-vjeçarit në fshatin Greikoc të Suharekës. I ndjeri sipas Policisë është sjellë i plagosur në spitalin rajonal të Prizrenit, dje rreth orës 15:55.I njëjti ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Policia ka konfirmuar se rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”, shkruan Reporteri.net.Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një kallash, një karikator dhe tre fishek, ku janë vërejtur edhe disa njolla gjaku.“Fsh. Greikoc, Suharekë 02.05.2022 – 15:55. Në spitalin rajonal në Prizren është sjell i plagosur me armë zjarri një mashkull kosovar. Si pasoj e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes në afërsi të shtëpisë së viktimës është gjetur dhe sekuestruar një armë AK 47, një karikator dhe tre fishek si dhe janë vërejtur disa njolla gjaku. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.Për vdekjen e të riut, ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.Ajo ka zbuluar se 26-vjeçari ishte djali i dëshmorit Haxhi Haxhaj.Bytyqi e cila vjen nga kjo komunë shtoi se Haxhaj ishte djalë punëtor e aktivist i pashembullt. “Pikëllues dhe i rëndë lajmi për vdekjen tragjike të Faton Haxhaj, djalit të dëshmorit Haxhi Haxhaj nga Grekoci i Suharekës. Fatoni ishte një djalë punëtor, i dashur e aktivist i pashembullt. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën. Dritë të pastë shpirti Faton!”, ”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.