AAK pritet të garojë e vetme, synon t’i fitojë zgjedhjet

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe synon të fitojë garën elektorale me partitë tjera.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi pas mbledhjes së strukturave të partisë tha se partia që përfaqëson do të dalë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme, data e të cilave pritet të caktohet.

“Tani do të mbahen konsultimet e partive politike edhe me ushtruesen e detyrës së presidentit dhe normalisht që vendi do të shkojë në zgjedhje. Është një situatë jo e lehtë për shkak të pandemisë, prandaj do të kemi kujdes edhe si parti duke vlerësuar edhe mendimin e IKShP, prandaj këto zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë të përgatitur për të qeverisur dhe për të udhëhequr vendin. Në këto zgjedhje të dalim si AAK, sepse jemi parti e konsoliduar mirë që udhëheqim në shtatë komuna dhe bashkë qeverisim në shtatë tjetra. Po ashtu, jemi të përgatitur të udhëheqim me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

I dyti i AAK-së ri-konfirmoi qëndrimin për kandidaturën e shefit të partisë, Ramush Haradinaj për president, derisa tha se janë ende në konsultime se kush do t’i prijë listës për kryeministër.

“Sa i përket kandidimit të zotëri Haradinajt për president ne e mbajmë të njëjtin qëndrim dhe vazhdojmë të mendojmë se zotëri Haradinaj meriton të jetë president i vendit. Kemi edhe në të kaluarën kryetar të partive që kanë qenë president të vendit. Jemi në konsultime, sepse nuk e ndërrojmë qëndrimin sepse nuk bëjmë lojë edhe me opinionin edhe me vetveten”, shtoi ai.

Krahas këtyre, Isufi tha se zëvendëskryeministri tashmë në detyrë, Besnik Tahiri do të shkojë në takimin konsultues me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim dje pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje mbi vlefshmërinë e votës kontestuese të deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, sipas së cilës vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *