Intervistë ekskluzive Gëzim Ajgeraj ,shkrimtari i mbi 165 veprave letrare -”VET JETA IME ËSHTË PENDA, PA TË AS QË MUNDË TA IMAGJINOI JETËN,(ndaj jo pa arsye jam tek libri i 165-të)”

0

QENDRAPRESS: Gëzim Ajgeraj u lind në Malësin e Vërrinit, Kosovë, dhe është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës me seli në Prishtinë, po ashtu  nga 23 marsi 2002 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës (SSV). Pas mbarimit të studimeve të larta në Atëdhe, emigroi në Zvicër në vitin 1988. Nga viti 1991-95, mbaroi vazhdoi e mbaroi studimet universitare në lëmin e elektronikës. Jeton dhe krijon dhe punon për më tepër se tri dekada në Zvicër. Shkrimtari, poeti, kritiku, publicisti, tregimtari, esesti, dramaturgu, etj;  Gëzim Ajgeraj është një emër prominent  në letrat shqipe dhe vjen për dashamirësit dhe audiencën  shqiptare,  por edhe atë ballkanike e evropiane  me ndikimin e mrekullueshëm  për motivet dhe temat që shtjellon  ai në krijimtarinë e tij, stilin mjeshtëror artistik e filozofik dhe mesazhin që ai përcjell  me mallin e dashurinë për atdheun, të menduarit estetik, qasjet psikologjike të subjektit, si edhe përjetimet jetësore.  Gëzim Ajgeraj percepton dhembjen e individit të mërguar, që nis nga gjendja e ndjeshme e tij dhe vjen gjer te shpresa se gjakimi për liri nuk do të shuhet kurrë, por do të vazhdoj të ekzistojë. Gëzim Ajgeraj  si shumë bashkatdhetarët tanë dhe ne, mërgoi larg vendlindjes, por krijimtaria e tij dëshmon më së miri,  se  Kosovën edhe pse është larg saj, ai është i lidhur si mishi me ashtin .Nga bota e artit, kritika e kohës, nga bashkëkohësit dhe pena të ndritura të botës shqiptare por edhe më tej ai është çmuar si; “Gëzim Ajgeraj – poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare” Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër – Prishtinë, “Bujku”, – Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër – Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, – Prishtinë, “Epoka e re”, – Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, – Shkup, “Ars” – Tiranë, “Pena shqiptare”, – Prishtinë, “Pioneri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, – Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën: Metafora poetike (Editorial i poetit) që del çdo tre muaj dhe ka botuar dhjetëra libra në gjini të ndryshme sikundër; Klithmë malli, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997/Ëndrra për parajsë,poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998/Qiellit po digjem, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998/Flakë në plagë, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998/Kënga e babait, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998./Urti popullore të Vërrinit 1 (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998/Mallëngjimi, poezi, „Rilindja“,2000. /Atdheu i copëtuar-cikël me poezi,/ në librin: Pikoi molla gjak (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR/-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004./Cikël me poezi “Udhë e zjarrmi”, në librin “Muzat i bien lyrës”, /Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2005/.Lulëkuqet e Vërrinit”, poezi, botoi shtëpia botuese “Metafora”, Zvicër, 2005./Zana në mërgim, poezi për fëmijë, ”Metafora”, Zvicër, 2020., etj.etj. Ajgeraj, deri më tani ka botuar 164 libra nga zhanret e ndryshme, që nga fillimet e tija këtu e tridhjet vjet më herët i pranishëm në letrat shqipe. Është e pa mundur të përmendet e gjithë krijimtaria, në këtë faqe interviste. Në këtë intervistë tejet interesante, profesionale dhe mbresëlënëse, Gëzim Ajgeraj flet për letërsinë, Kosovën, çështjen kombëtare, mërgimin dhe familjen…

QENDRAPRESS: Besoj se na shkon një bisedë arti, paçka se mes nesh janë mijëra kilometra!..Disi larg por arti i afron kufijtë, veçanërisht për mërgimtarët?

Si krijues që jemi, mendoi se nuk do ti mjaftonte komunikimi mes vargut, afrisë miqësore mes krijuesve, por edhe kjo intervistë do të jetë një mundësi e mirë që si krijues të shpalosim vlerat tona edhe për lexuesin e gjerë. Dhe kjo shpalosje, si do të mund të bëhej më së miri, kur dy krijues marrin një mision të tillë. Intervista me ju, mendoj se do të shpalosë nga jeta ime letrare. Sot më nuk ka kufij mes krijuesve, në cilin do cep të botës gjenden ata. Bota virtuale e komunikimit, ka krijuar mundësi dhe hapësira nga do që gjendemi, krijojmë e veprojmë. Por mbi të gjitha, është mënja e ish sistemeve, që për ne shqiptarët të ndarë e të copëtuar nëpër shumë shtete, krijoi mundësi për afrim, njohje  edhe në krijimin dhe hapjen e vlerave kulturore mes vete, si një popull që jemi. Por ky përafrim,se edhe vlerat tona kombëtare, që gjenden nëpër botë, falë zhvillimeve të teknikës sot, i bënë shumë të afërta mundësitë për komunikim, veprim dhe punë të përbashkëta, në këtë rast edhe ato letrare. Largësia sot na ndan fizikisht, jo vetëm juve atje, por edhe neve këtu në Evropë, në rastin tim në Zvicër prej dy dekada e gjysmë, por shpirtërisht asnjëherë jo nga atdheu. Atij  i jam pranë  gjithmonë, si në veprimtari kur e pati nevoja, edhe sot  me krijimtarinë time, përpiqem ti jap gjithçka nga vetvetja. Kjo më bën të ndihem mirë, i mos harruar udhëve  të mërgimit, por edhe i privilegjuar, që me penën time, i kontribuoj dhe i gjendem pranë sfidave të vendit tim. Asnjëherë nuk e ndjejë veten larg, por gjithmonë me shpirt e mendje, jetoj brenda shpirtit të atdheut tim.

QENDRAPRESS: Disa dhjetëra vëllime me poezi, që dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetët e mirënjohur në këto dy-tri dekada në letrat shqipe. A ka diçka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë poet?

 Krijimtaria për mua nuk është vetëm pasion. Atë e ndjejë mishërim me mua, si mishi me ashtin. Pa fjalën e shkruar, nuk mund ta mendoj as një çaste të jetës sime. Vështirë të përshkruhet zanafilla e këtij mishërimi me fjalën. Ndoshta zanafilla e saj i ka rrënjët në Vërrinin tim, zona nga vij unë. Një zonë shumë e pasur me motive, me bukuri të rralla natyrore, e tradita të lashta të ruajtura nëpër shekuj, me folklor të pasur dhe me taban të pastër kombëtar. Ka shumë elemente, që arrin ti nxjerrë kullave të Vërrinit tim për të nxitur frymëzimin. Është dashuria për atdheun dhe etja për lirinë e trashëguar ndër breza. Është e folmja e gjyshes sime të ndjerë, me një folklor të pasur nga tradita kombëtare. Jan vargjet e babait tim, që më recitonte qysh nga fëmijëria e tij. Janë kullat, dheu i të parëve, që më frymëzoi e më frymëzon vazhdimisht në krijimtarinë time. Në moshën që kam, ndihem shumë krenar për atë që kam bërë për vendin tim, por në këtë rast edhe për letërsinë. Tridhjetë librat e botuara dhe dy libra me vlerësime kritike nga të tjerët enkas për krijimtarinë time, e ndjejë veten shumë të privilegjuar dhe shumë produktiv. Koha do të flasë edhe më, bile me një tempo dhe një ritëm më të vrullshëm.

Ndoshta është shumë me rëndësi të thuhet për lexuesin, se unë me krijimtarinë time kam ardhur në vitet më të vështira, në kohën e aparteidit në Kosovë, kur vritej fjala, vritej liria, e pse mos thënë, okupatori barbar i veriut kërkonte të na zhdukte nga faqja e dheut. Pikërisht gjatë kësaj kohe dhe fillimit të luftës në Kosovë, por edhe gjatë asaj, kam botuar rreth shtatë libra. Këtë guximi jam përpjekur ta shpërndaj dritën e lirisë dhe nevojës për të, pa e censuruar asnjëherë mendimin dhe fjalën, karshi okupatorit, që na rrinte mbi kokë. Të gjitha këto botime të kësaj kohe i kam bërë në “Rilindjen”, e atëhershme në Prishtinë. Paslufta krijoi hapësira të reja si për punë ashtu edhe për veprim e botim. Tani më kanë ecur kohë, gati dy dekada, dhe me vete bartim bagazh shumë të pasur të krijimtarisë, si asaj të botuar po ashtu arkivës sime, e cila me vete ka edhe po aq libra të përfunduar në skripte.

Disa nga vëllimet e mia me poezi, që janë të botuara, janë; “Klithmë malli”, “Ëndrra për parajsë”, “Qiellit po digjem”, “Flakë në plagë”, “Mallëngjimi”, “Balada e Vërrinit”, “Atdheu në trastë” – cikël, “Atdheu i copëtuar” – cikël,  “Degë e thyer”, etj. Janë këta disa nga librat me poezi, pa i numëruar ato për fëmijë, dramat, romanet, kritikat, esetë, publicistikën, reportazhet, monografitë, folklorin etj.

QENDRAPRESS: Çfarë ju ka pëlqyer në adoleshencë për të lexuar, cilët nga autorët tanë pëlqeje më shumë?

Programeve të caktuara shkollore u duhej tu përshtateshim, apo thënë thjesht, ato lektyra që parashiheshin në programet mësimore, gjatë sistemit monist, të dirigjuar nga lart. Kisha dëshirë gjithmonë të lexoja nga Naimi, Migjeni, Noli, Spassen dhe shkrimtarët e rilindjes kombëtare, ato që kishim mundësi t’i gjenim. Ndoshta ata kanë qenë edhe frymëzimi i të ardhmes sime si në letërsi edhe asaj të idealizmës kombëtare, më të cilën me kohën u mishërova. Ky mishërim me artin fillimisht më frymëzoi dhe më hapi dritë që ta ndieja edhe mungesën e lirisë së popullit tim, qysh  i ri. Por me që jemi tek literatura, kishte edhe poet e shkrimtarë si; Esat Mekuli, Maksut Shehu, Rexhep Hoxha, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe shumë të tjerë. Edhe nga krijimtaria e letërsisë botërore, kishte aty këtu lektyra, që na ofroheshin. Ndërsa me kohën dhe rritjen time, fillova të interesohesha për letërsinë e ndaluar nga pushteti i atëhershëm, dhe dorë në dorë, gjeja libra edhe të atillë. Me kohën fillova dhe krijova biblotekën time e cila gjatë rritjes sime, u rrit aq shumë, deri në mijëra libra. Sot ka krijues të mirë dhe ka letërsi për përzgjedhje. Varet se në cilën lëmi do të orientoheshim. Në poezi do të veçoja Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Ali Podrimjen etj, në roman e kritikë Rexhep Qosjen, Agim Vincën, Begzat Baliun, etj. Me emra do u hyja në hak shumë krijuesve, por thënë shkurt, majat e letrave shqipe.

QENDRAPRESS: Cila ka qenë poezia apo tregimi i parë që keni shkruar?

Kjo pyetje më kthen në fëmijërinë time. Si nxënës i klasës së pestë, e doja shumë poezinë dhe e recitoja shumë bukur. Recitova dhe për ditën e shkollës, përpara njerëzve të vendlindjes sime, dhe kjo më kishte emocionuar shumë. Provoja të shkruaja vjersha dhe i mblidhja në një fletore hartimi të formatit A4, dhe mes çdo vjershe edhe vizatoja punime, me që më shkonte për dore edhe ky art. Kisha bërë diku tridhjetë vjersha dhe po aq vizatime, në atë fletorë. E kisha titulluar; “Zogu i mëngjesit”. Se si më kishte lindur ky titull, ishte një histori brenda saj; Thuaj se çdo mëngjes kur bëhesha gati për në shkollë dhe gjyshja ma sillte bukën dhe çajin tek dritarja, një zog vazhdimisht më vinte aty. E ushqeja me troshka buke, dhe thuaj se e ndanim përgjysmë. Nuk e di sa kohë të ketë zgjatur ky ritëm i përditshmërisë sime, por zogu nuk trembej fare. Ai hante i qetë fare pranë meje. Ndoshta ky ishte edhe frymëzimi për një titull të tillë. Fatkeqësisht ai libër, dhe shumë ditarë  e shënime, në vitin `98, kur okupatori barbar serb e dogji Vërrinin dhe shtëpinë time, më dogji bibliotekën me pesëmijë libra, në mesin e tyre ato fletore,  disa romane nga koha që i kisha shkruar si gjimnazist. Më dhimbset shumë arkiva e fillimeve të mija, dhe ata që merren me art, sidomos me artin e shkrimit, e dinë mirë se dy herë të njëjtat krijime, nuk mundë ti zë kurrë. Janë shënime të çastit, sekuenca frymëzimi, që nuk zihen dy herë, ndaj dhe nuk kam mundur më ti ripërshkruajë.

QENDRAPRESS: Cilat janë temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë tuaj, sa janë motivet vetjake?

Në art gjithmonë ka hapësirë, bile të jashtëzakonshme për të sjellë pse jo edhe risi. Këto hapësira në horizontin e krijuesit, vijnë për mes temave të ndryshme të cilat i shtjellon dhe trajton ai. Edhe sot kur flasim, por edhe në rrugëtimin tim deri këtu, ka patur tema e ka, sa është e pamundshme në raport me kohën të zihen ato. Problemet e përgjithshme shoqërore, problemi kombëtar i pa zgjidhur i shqiptarëve, robëria, përpjekja, lufta, rritja dhe zhvillimi i ynë, janë në ecje me kohën dhe vijnë si një kronologji më vete, gjithmonë me synimin, ecje përpara me një vizion të qartë. Dimensioni i këtyre temave, sot në krijimtarinë time trajtohet në gjitha zhanret e të shkruarit letrar. Pra është një hapësirë e gjerë e kapërthyer nga ana e ime përmes pendës, që përballet me të gjitha zhvillimet në kohë dhe parashikimet në vizionin e së ardhmes. Doemos se zhvillimi i letërsisë, ecë me kohën, këtij fenomeni i qëndrojmë gjithmonë karshi, për të mos thënë në disa aspekte edhe i paraprijmë.

Për mua, motivet gjithmonë janë vetjake, sepse ato janë burim i shpirtit tim dhe ngacmim i brendshëm i muzës së fjalës e cila shpërthen në varg. Në ecjen time bart me vete një jetë të dyfishtë. Jetën në atdhe, atdheun, vendin tim, hallet, problemet, dhe zhvillimet atje, dhe e dyta; jeta në dhe të huaj, prej dy dekada e gjysmë në Zvicër. Mërgimi, kolonat e mallit, njerëzit e mi të përvuajtur. Dhe pikërisht kjo jetë e dyfishtë, mua më pasuron me motive, me njohuri, por edhe me energji e potencial krijues. Kjo pa tjetër reflekton në shumëllojshmërinë e temave, të cilat i trajtoj në vargje, tregime, ese, romane, letërsisë për fëmijë në të gjitha zhanret, edhe në kritikë.

QENDRAPRESS: A mund të na thoni një nga poezitë tuaja më të dashura, për të dhënë një poezi cila është pjesa më e vështirë?

Nga gjithë ai bagazh i poezive dhe librave, që barti me vete sot, është tepër e vështirë të dalloj sot ndonjërën prej tyre, apo është më e dashura për mua. Librat janë si fëmijët, ec e dalloi ata. Edhe poezitë që janë brenda tyre, të gjitha e kanë peshën dhe rëndësinë e njëjtë për mua. Punoj në shumë zhanre të poezisë, hulumtoj shumë stile dhe thyerje vargjesh, dhe kjo për mua është si një sprovë në larmishmërinë e vargut. Po qe se vecoj, do t’i hyja në hak vetë vargjeve të mija. Kam mijëra krijime, si të botuara edhe nga ato që presin në skripte. Bile shumë më shumë, të krijimtarisë sime ende pushon në arkiv. Arsyeja, se krijimtarinë e kam shumë të vrullshme, e botimin më të ngadalshëm. Kjo më ka krijuar një bagazh të pasur në arkivën time.

Mendoi se për ne krijuesit, nuk ka pjesë të vështira në varg. Është filozofia e krijimit të tij, korniza brenda së cilës e ndërton atë, mesazhin, idenë dhe  forma e ndërtimit të tij. Fuqia dhe metafora e tij, është filozofi dhe aftësi e krijuesit. Kjo mvaret gjithmonë nga vlerat që ka  dhe prezanton ai.

QENDRAPRESS: Në tërësi ju jeni një poet i shëndetshëm, me besimin solid për jetën; megjithatë herë herë vihen re doza melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?

Vrullin që e kam në krijimtarinë time, është  vrull i burimit të brendshëm, të frymëzimeve të mija, të cilat sikur nuk më lënë të qetë, por kërkojnë të dalin përtej meje. Kam arrit të kap gjithçka që më rrethon mua, për frymëzim dhe sjellje në art. Ky lloj përceptimi i botës për rreth sikur nuk më shpëton asnjëherë dhe asgjë, për ta lëshuar si ngacmim i një muze të humbur. Besoi dhe e dua jetën, pamvarësishtë se ajo nganjëherë është edhe e vrazhdë dhe e pa mëshirshme me ne. Si gjithmonë, mundohem ta zë atë pozitiven e saj, për të ecur përpara dhe për ti krijuar hapësira vetes, e çaste të lumtura. Për një krijues, kjo ka shumë rëndësi. Lumturia, është edhe një motiv plus për penën time, zhgënjimet shkaktojnë tronditje, strese dhe depresione, të cilat shpesh mundë ti bëhen pengesë edhe penës e artit. Melankolinë që e sjellë jeta, duhet ditur për ta kapur së mbari. Jeta e krijuesit ka vrazhdësitë e veta, dhe pikërisht këtu duhet ditur për të dalë nga këto situata. Dhe jo rastësisht optimizmi dhe pesimizmi bashkëjetojnë shumë afër në psikologjinë njerëzore. Ato duhen ndarë  në vija të trasha, sidomos shikuar nga bota e një krijuesi. Unë kam besuar në jetën, në vetveten, në forcat e mia por edhe në të ardhmen, edhe atëherë kur ishim më ngushtë  të okupuar nga serbë dhe lufta jonë. Pra, njeriu gjithmonë besimin dhe vetëbesimin nuk bën ta humbë për t’i hapë rrugë pesimizmit. Unë besoj në rrugën e artit, dhe ky besim që  kam krijuar, më ka shtyrë përpara, drejtë sukseseve dhe gjithmonë më mban shumë vital në energjinë time krijuese.

QENDRAPRESS: Ju jeni poet. Qindra vargje poetike lirike, patriotike, qytetare me ton protestues e intelektual të përmbledhura në dhjetëra vëllime me poezi, i përfshirë edhe në disa antollogji me poezi. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

Me ecjen në moshë, kam një bagazh të madh të aktiviteteve si ato kulturore, atdhetare dhe asaj intelektuale. Mendoj se brenda vetes bart pasuri të jashtëzakonshme të  përvojës jetësore, që  nëse do  kam kohë jete, t’i kronikoj të gjitha, besoj se do të shkruaj një monografi e mrekullueshme. Kjo përvojë e   dashuri për lirinë, atdheun, më ka pasuruar në shpirt dhe ka hapur korniza të jashtëzakonshme brenda meje, për t’u pasqyruar ato  brenda artit letrar, dhe vargut. Kam dhjetëra libra me poezi, dhe ka shumë lirika brenda tyre, që  sot as vetë nuk e di, sepse gjithmonë mendoj përpara, e pak ndalem në botimet e shkuara. Edhe vargu atdhetar, dominon në poezinë time, sepse shpirtin e kam të tillë. Jam rritur me idealizmin kombëtare,  i tillë kam mbetur, pa u thyer asnjëherë, mendoj edhe të vdes i tillë. Sepse të duash atdheun tënd, është diçka e shenjtë, nuk zëvendësohet me asgjë. Dhe kjo ndjenjë më lumturon dhe më bën  krenar në ecjen time. Doemos ajo reflekton  në vargjet e mija e natyrës atdhetare. Ka dhe antonime të vargjeve me tone protestuese  është shumë e vërtetë. Si individ por edhe si shkrimtar, nuk i nënshtrohem politikave ditore. Aq më tepër unë kam vizionin tim për atdheun dhe kombin, dhe në raportin si shkrimtar, nuk lejoj të më udhëheq politika. E shoh veten me besimin në vetvete. Tingëllon e vrazhdë ca, por një krijues duhet të jetë i tillë, po deshi të ecë mbarë. Unë nuk i shoh krijues ata që u servilen politikave ditore. Ata mundë të jenë argat të oborreve, klaneve, grupimeve të ndryshme, por të artit jo. Fatkeqësisht më duhet ta them, pamvarësishtë se do u dhembë shumë miqve të mijë. Kjo është ecja dhe vizioni i udhëtimit tim, më pamvarëson dhe krijon hapësira, që pena e ime, të jetë e pastër në vija të artit letrar e dhe  asaj kombëtare, që ka nevojë kombi dhe atdheu im.

Unë jam i përfshirë nëpër shumë antologji,në gjuhë të huaja dhe shqipe. Kjo krijon  ndjenjën e  mirë dhe  përvojën interesante në hapje me botën e letrave të huaja. Duhet thënë se përkthimet dhe botimet në gjuhë të huaja, kërkojnë një përzgjedhje, për faktin se ne artit të të shkruarit i kushtojmë interesave nacionale e kombëtare. Pra,kërkojnë një trajtim më ndryshe të artit, pa ngarkesa dhe ide lokale sic i kemi ne ballkanasit. Por një formë të akceptimit të përgjithshëm të artit letrar. Është temë e gjerë  dhe  kërkon një trajtim më të zgjeruar, sic edhe e kam trajtuar nëpër essetë e mia. Kjo përvojë,  të shtyn gjithmonë të ndalosh, të mendosh, të krijosh, në kuadrin e universit të përgjithshëm letrar. Megjithatë, unë nuk dua të dal nga arti nacional i të shkruarit, sepse edhe të tillë duhet të na pranojnë letërsitë tjera.

Unë do i përmendja disa nga librat e mi; për ti ofruar lexuesit të paktën pak njohuri rreth botimeve të deritanishme. Disa nga titujt, që nuk i kam përmendur, romanet; “Misioni i Kriminelit”, “Serboarmatosja”, Rob, Studentët,etj, monografitë; “Rruga e lirisë – monografi, intervistë me Z.B.”, monografi; “Masakra e Tuzsuzit”, dramën; “Rruga e lirisë”, shumë botime nëpër antologji të ndryshme, të cilat më të detajizuara i gjeni në veb faqet e mia apo edhe në ëikipedia në shqip. 12 libra me “Urtinë popullore Vërrinase 1-22”, etj.

QENDRAPRESS: Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?

Poezia tek unë lind në çast. Çdo çast i ka sentencat e veta të ngacmimit të brendshëm, i cili shpërthen brenda meje  si një burim lumi në fjalë. Thënë metaforikisht, ajo lind si shkëndijat e dritës, ndizet brenda teje dhe kërkon të reflektojë më tej. I tillë lindë dhe vargu tek unë. Është motivi, ai që fillimisht më ngacmon, pastaj zgjidhen fjalët dhe forma e vargut formësohet vetvetiu. Me stilet dhe format e vargut shpeshherë eksperimentoj metoda të ndryshme të formësimit të tij, gjithmonë brenda sentencave për ta ruajtur fjalën, fuqinë metaforike të saj. Brenda kësaj filozofie, përpiqem  të jem brenda trendit të poezisë së përgjithshme në botë.

Të gjitha poezitë tek unë i ndjej njësoj, pamvarësishtë nga çasti dhe tema që trajtoj. Ato janë produkt i imi dhe e kam vështirë të bëjë dallim në ndjesinë që më krijohet nga poezia në poezi. Mendoj që brenda secilës poezi të jap dicka të rëndësishme që ta mbajë atë përjetësisht, ndoshta është ky faktor që nuk kam bërë ndonjëherë selektime në ndjesinë ndaj vargjeve.

QENDRAPRESS: Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku? Kur shkruani poezi cili është vendi i juaj i preferuar, studio, natyrë apo duke pirë kafe?

Frymëzimi gjithmonë është rebel Ai s`të pyet kur vjen e kur shkon. Po nuk e zure në çast, se kap dot më. Ky element i frymëzimit në artin e penës, reflekton më së tepërmi në poezi. Ajo lind në çast dhe ik në çast, si zogu që të ikën nga dora dhe se kap më dot. Edhe po e kape ndonjë zog tjetër, të duket njësoj, por nuk është ai që ti e kishe të parën herë. Shih për këtë, unë mbaj edhe shumë shënime, brenda të cilave i kronikoj frymëzimet e çastet  në kohë. Kam planin vjetor, brenda të cilit punoj në krijimtari. Shkruaj në gjitha zhanret, kur shtrohen disa tema nga zhanret e ndryshme të artit. Gjatë gjithë vitit punoj mbi to, hedh shkrime, brenda temave të caktuara. Ndodh të jem në udhëtim, po punën nuk e ndal, edhe mysafir diku, a në rrugë.Një kohë të mirë të krijimtarisë, e ndajë duke pirë kafe, kam vendet e preferuara të miat, në një qytezë të Zvicrës lindore, Buchs ku jetoj aktualisht. Me vete mbaj kompjuterin dhe aparaturat e nevojshme të shkrimit. Ky është rregulli i punës sime, kur jam edhe  jashtë studios. Ndërsa kur kthehem në shtëpi, shkrimet e mbaruara gjatë ditës, i vendos brenda temave të caktuara, herë herë i përpunoj ato. Kjo që e thashë, i gjason asaj lojës me gota. Kur ti ke vënë përpara vetes dhjetë gota, dhe gjatë gjithë vitit, pika pika i mbushë ato, në fund të vitit pa tjetër se do të jenë plotë,  ti fillon pastaj të mendosh për lëndën se ku do ta dërgosh atë. Është një punë sistematike e imja, që më bën të ndihem mirë, rehatshëm dhe i suksesshëm në punën time. Pra, në fund të vitit më mbetet nga të orientohem për botimin e librave.  Megjithatë, kur jemi këtu në këtë pikë, më duhet të them edhe këtë; sa krijoj gjatë vitit, nuk i botoj të gjitha, shumëçka shkon në arkivën time, të pasuruar tashmë. Sikur edhe sot të ndodhë, që unë ta braktis penën edhe nja tridhjetë vite, do të kisha çfarë ti jepja lexuesit. Ky sukses dhe ecje, më bën shumë krenar dhe të lumtur.

QENDRAPRESS: Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

Ngacmimet e brendshme emocionale, krijojnë perceptime të cilat shpërthejnë në fjalë, për tu derdhur në letër. Brenda këtyre ngacmimeve lindë ideja, tema, ngjyrat dhe tonet e saj. Të gjitha këto elemente ndërtojnë trupin e idesë, e cila pastaj kërkon veshjen psike filozofike, për ta ndërtuar vargun. Ka shumë elemente që e shoqërojnë muzën e ngacmimit, deri në kalimin në varg. Kjo temë, sikur kërkon një trajtesë të veçantë, po të mos ishte intervistë. Gjenetika e mendimit, ndoshta? Nuk di çfarë të them. Si fëmijë, e kam dashur artin, pikturën, muzikën, folklorin në përgjithësi, e në veçanti poezinë. Edhe në rini, u mishërova edhe më. Shkruaja për gazetat e kohës dhe revistat, edhe pse jo gjithmonë më botoheshin nga censura.

Si fëmijë, menjëherë pas luftës së dytë botërore, në një shkollë katër klasëshe në Vërri, babai imë kishte mësuar shumë vjersha.. Dhe sa herë ulesha pranë tije, kuptohet kohëve kur kthehej nga mërgimi, me që për dyzet vite u gjend në kurbet, i kërkoja të më recitonte nga ato vjersha. E dëgjoja me ëndje. Sa mallëngjehesha dhe mishërohesha me ato vjersha. Me kohën ky mishërim mu bë pjesë e imja. Kësisoj, babai im, deri në moshën kur vdiq, nga pleqëria, ato tridhjetë e dy vjersha që i kishte mësuar mbi gjashtëdhjetë vite më parë, i dinte e i recitonte të gjitha, me pikë e presje. Ndoshta, ka qenë ky një mishërim i imi me vargun, apo edhe gen i asaj mbajmendje e logjike njerëzore. Filozofia e krijimtarisë në artë, kuptohet kërkon përgatitje dhe bazë intelektuale dhe punë. Asnjëherë nuk mund të ruash vitalitetin në art, nëse nuk punon, të ruash energjinë dhe  tempon e ecjes në rrugën artistike. Unë jam shumë strikt në përgatitjen për ecje përpara, koha po flet e do të flasë. Krijuesi krijon rregulla pune, i bashkon të gjitha këto elemente bashkë, sukseset doemos janë evidente.

QENDRAPRESS: Ju keni edhe tri drama, sa kohë keni që shkruani drama? Çfarë iu ka tërhequr në zhanrin e dramaturgjisë?

E kam dashur këtë zhanër, qysh i ri. Në veçanti teatrin dhe radiodramat. I dëgjoja me shumë kënaqësi në radio Kukës, e Tirana  (atëherë fshehurazi). Shkoja ndonjëherë dhe në teatrin e qytetit, që kishte një teatër amator, por herë pas here vinte në skenë, ndonjë dramë.

Do të veçoja dramën; “Rruga e lirisë”, një rrëfim nga lufta, i dramatizuar si ngjarje e vendosur jo në ambiente të mbylltë, por në përditshmërinë e jetës. Është një dramë nga lufta e UÇK-së, në Kosovë. Protagonistët e ngjarjes janë luftëtarët e lirisë, familja shqiptare gjatë asaj kohe, lufta dhe përpjekja për çlirim. Ky libër, në masë të caktuar më ka dalë deri diku, pjesërisht i dëmtuar në dy kapituj të humbur, sepse është botuar pikërisht gjatë kohës së luftës, në Prishtinë. Kam dhe drama tjera, disa të publikuara në faqe interneti, e disa ende në arkiv, që me kohën do të dalin.

Këtu dua të ndalem pak. Në letërsinë shqipe, ka drama të mira,  të krijuara, por ende të pa shfrytëzuara sa duhet nga teatrot tona, kjo është për të ardhur keq. Verbalisht, ekziston një lloj injorance karshi letërsisë dhe teatrove, kjo lloj injorance fatkeqësisht po shkon me kundërpërgjigje. Dhe shtrohet pyetja ku con kjo? Unë nuk jam kundër vënies në skenë, të dramave të huaja, respekt, ato e kanë vendin e vet, por sikur teprohet nganjëherë me këto të huajat.

Ndjenja që të jepë burimorja e traditës, kurrë nuk ta plotëson e huaja. Le të flasim ne për modernizëm. Po dalim nga kallëpi i tradicionalizmës. Populli ynë ka pasur,ka e do të ketë dramën e vet kombëtare. Edhe krijuesit tanë kanë çfarë t’i ofrojnë lexuesit, prandaj ata duhet të shkruajnë, të vazhdojnë pa u thyer aspak, pamvarësisht kohës jo edhe aq të shëndetshme që po e kultivojmë.

QENDRAPRESS: Cila është eksperienca më e mirë që keni përjetuar në të shkruarin e një drame?Po më zhgënjyesja?Cilat janë emocionet tuaja kur shkruani dramë?

Mendoj se dramat e ngjarjeve në Kosovë, sikur janë të vetëshkruara. Mjafton t’u hiqet velloja, për t’u shpalosur e për t’u kthyer në art të fjalës. Këto drama të popullit tonë, i përjeton nga afër dhe shpirtërisht, ashtu sikundër i kam ndjerë e mbartur në kurriz tim, ato të krijojnë ndjenjën e mirë, kur arrin t’i vendosësh nga një skenë e hapur siç është jeta, në artin e fjalës., sikur  ringjall diçka që rrezikon të harrohet dhe  kënaqësia që krijon ndjenja e artit e vërja në skenë. Çaste zhgënjimi ndjej vetëm atëherë kur në planet e mija  për arsye kohe ende nuk është realizuar, por  ndjenja e  optimizmit gjithmonë më mban, se një ditë ato drama dhe zhvillimet që ndrydhen brenda meje, do të gjejnë dritën. Vetëm atëherë, do të ndihem i lumtur e i qetë në muzën e ngacmimeve në shpirt.

QENDRAPRESS: Shumica e dramaturgëve kanë gjetur frymëzimin e tyre në letërsi, si Flaubert, Dostojevski etj.,akti i të shkruarit të një drame, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Pra shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra a ndikon letërsia në

dramaturgji?

Mendoj se arti i të shkruarit letrar e talenti për letërsinë, vetëm sa e ndihmonë artin e të shkruarit dramë. Ngjarjet e ndryshme që kanë ndodhur tek ne, i përkasin një drame kombëtare, e cila do formë që të shhprehej në letërsi, do të kishte peshën e vetë, por ajo e shprehur në artin e dramës, sikur e zbërthen më ndryshe, në raport me personazhet e ngjarjeve. Drama është e pa zëvendësueshme, sepse krahas ngjarjeve, zbërthen personazhet, karakteret dhe zhvillimet e një kohe. Ana letrare, talenti, psike – filozofia e përshkrimit, veç sa i shtonë vlerat e nivelin e artit të saj.

Ndoshta tek ne kujtohet dhe po praktikohet shumë herë se njerëzit që janë shumë afër teatrit, të shkruajnë drama. Talenti dhe mjeshtëria s’ka kufi. Në masë të madhe po injorohet në përgjithësi drama nacionale, mungon shpesh në skenat tona, duke i dhënë përparësi asaj të huajës. Këtu qëndron dhe syri kritik i krijuesve ndaj zhvillimeve. Nuk dua të thellohem në këtë pikë, për të dalë nga koncepti i pyetjes.

 Sic e shpreha më lartë, populli ynë ka drama e tragjedi sa as një popull tjetër në Evropë. Mjafton t’i hiqet velloja e vrazhdësisë së atyre ngjarjeve, për ta kthyer në art. Trillit të personazheve s`do t’i duhej shumë, pos sa ajo që ndodh  nëpër romane dhe paraqitet aty. Unë dramaturgjinë e shoh pjesë të letërsisë dhe në asnjë pikë nuk e ndajë nga ajo. Përkundrazi, nëse shihet si e ndarë, mund edhe të gabohet.

QENDRAPRESS: Çfarë mendoni për anonimatin e dramaturgut apo skenaristit? Cili është roli i shkrimtarit në këtë proces?A është kjo gjë e mirë që shkrimtari është anonim?Bashkëpunimi ka ndikim në karrierën tuaj?

Të jesh anonim sot, nuk është as e shëndetshme as e arsyeshme. Pse? nga kush të mbrohemi? Mendoj se anonimiteti i sotshëm, sikur e ka ndjesinë e frikës, mosbesimit në vetvete, për tu ekspozuar si krijues i një vepre. Dhe kjo fshehje, mundë të kapet si një eksperimentim me publikun, që për mua nuk është aspak serioze. Unë kam shkruar edhe ese për këtë formë të paraqitjes, dhe e shoh si dobësinë e  një krijuesi.Primati i anonimitetit sot, krijon hapësira më shumë negative se sa pozitive. Krijuesi sot s`ka kujt t’i frigohet, as sistemit dhe as shoqërisë në përgjithësi, kur ai krijon një vepër, duhet ti qëndroj pranë asaj. Kjo është sikur lindja e një fëmijë, që nuk përcillen nën kujdesin e prindërve, po qitet diku nën mëshirën e të tjerëve. Ndoshta është mosbesim në vetvete i atyre që aplikojnë, një metodë të tillë. Në fund të fundit krijuesi e ka lirinë e vetë të fjalës dhe duhet ti qëndroj asaj që  thotë.

Shkrimtarët duhet ta krijojnë hapësirën për shprehjen dhe lirinë e mendimit. Ata duhet të jenë më të zëshëm, jo proceseve që duhet t’u prijnë ata, t’u prijë politika apo dikush tjetër. Roli i tyre, është tepër i madh në avancimin dhe emancipimin e një shoqërie të shëndetshme e të lirë Letërsia ka mjaftë hapësira, mundësi, fuqi për të ndryshuar  proceset dhe zhvillimin e shoqërisë. U duhet guximi dhe pavarësia e krijuesve. Tek ne kjo pavarësi sikur diktohet nga ana financiare e institucioneve shtetërore. Krijuesit duhet të përpiqen të krijojnë pavarësi e vetë për të qenë në shërbim të artit.Pavarësia krijuese tek unë, ka hapësira të gjera. E para se nuk jam i varur financiarisht nga askush e asnjë institucion. Kjo më krijon komoditet e hapësira të gjera për veprim. Së dyti, fjala i ka edhe rregullat e veta, aty ku kalohen kufijtë  preken hapësira, shkelet kufiri i dëmtimit të tjetrit, ekziston gjykata. Bashkëpunimin me miq krijues e kam të mirë e i respektoj. Ky bashkëpunim vihet re më së tepërmi e nëpër aktivitete të ndryshme kulturore, pastaj në antologjitë e ndryshme dhe projekte që gjithmonë çojnë në të mirë të artit e kulturës. Kësilloj bashkëpunimesh, jam i hapur e i afërt, për të bërë punë e vepra të mira. Kam dhe shokë të mijë krijues, me të cilët kemi dhe vepra në bashkautorësi, projektet tona i kemi realizuar si është më së miri. Me mikun tim poetin Ilam Berisha, nga Prizreni, kemi një monografi nga “Masakrat serbe në Kosovë”, që e kemi realizuar bashkërisht për mrekulli. Me një krijues tjetër kemi “Urtin e Vërrinit”, pjesën e parë, tani më së shpejti në trio edhe pjesën e dytë. Unë nuk e kam fare problem bashkëpunimin me miq krijues dhe krijimin e veprave me bashkautorësi. Me një mike Zvicerane, kemi një lloj antologjie me disa krijues me renome botërore. Si bashkëpunim, ka dalë një vepër e mrekullueshme. Mendoj se bashkëpunimi i mirë krijon ura miqësie që bashkojnë brigjet, largësitë dhe përafrohen punët e mira.

QENDRAPRESS: Ju i kini kushtuar vargje botës fëminore, simbolit shpirtëror të njerëzimit, të përmbledhura në libër i dedikohet tërësisht brishtësisë dhe dlirësisë fëminore. Cili është “çelësi sekret” i letërsisë për fëmijë që ju mbartni në muzën tuaj?

Duke iu kushtuar në tërësi letërsisë, e kam sprovuar veten në të gjitha zhanret e të shkruarit. Kësisoji edhe letërsisë për fëmijë nuk i kam ngelur borgj dhe as nuk do ti mbetem. Kam shkruar disa libra, bile mbaj mend diku libri i tretë apo i katërt i dedikohet kësaj bote.

“Kënga e babait” e botuar në kohën e aparteidit serb në Kosovë (përpara luftës), ishte libri i parë me poezi, i botuar. Është një botë emocionale nga fëmijëria e ime, ku kam rikujtuar kujtimet e asaj  moshe, kam zbërthyer ato dhe rritjen time. Më vonë kam vazhduar me dy romane për fëmijë; “Ditët e bardha” dhe “Pëllumbat e lirisë“.Brenda të cilave zbërthej botën e fëemijëve në raport me luftën në Kosovë, ku për personazh kanë mësuesin dhe dëshmorin e kombit; Xhevat Berisha, i cili edhe ka qenë mësues në vendlindjen time, deri  në rënjen heroike. Raportet fëmijë, mësues, luftë, familje dhe shumë situata tjera, nga bota e më të vegjëlve. Dy poemat për fëmijë; “Toni lexo lektyra” dhe “Muajt e vitit me Ardin”, janë dy poema që u kushtohen dy cunave të mij, kur ishin të vegjël. Librin me fabula për fëmijë; “Bosi lepuroshi”. Librat me poezi për fëmijë; “Zana në mërgim”, “Huqet e Benit”, “Kroi i qytetit tim”, e shumë libra tjerë i dedikohen botës fëminore. “Gjëegjezat” dhe përrallat për fëmijë; “Gjashtë picimulët në olimpiadë” e shumë tregime e punime tjera.

Për të shkruar për botën  fëminore, ngapak duhet të ngelemi edhe fëmijë. Ndoshta ky mendim, do kapej ndryshe, por të jemë më i qartë, duhet kaluar në botën fëmijënore, duhet ngjallur nostalgjia e asaj bote, brenda neve, duke shkëputur sekuenca, inserte nga ajo moshë, për t’i sjellë në letër. I gjithë ky celës i këtij sekreti, mbetet tek rikujtesa, rikthimi në të kaluarën. Pra duhet hyrë thellë në botën fëmijënore, për të arritur qëllimin e suksesit. Mendoi se në masë të madhe ia kam arritur, ndjej kënaqësi, kur i shkruaj botës feminore.

QENDRAPRESS: Ju jeni mjaft i suksesshëm si poet e i vlerësuar  nga kritikët  e kohës, por edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë vendas e të huaj? Si ndiheni për këtë?

Mendojë se në të shumtën e rasteve, pena e ime ka prekur thelbin e ndjenjave të lexuesit në radhë të parë, por edhe të kritikës që vjen më pas. Kur e them këtë,  kam parasysh se jetoj me aktualitetin, brengosem me përditshmërinë, e i qëndroj  sfidave, dhe i paraprij zhvillimeve, brenda fjalës. Të gjitha këto halle, këto ndjenja dhe këto preokupime, janë halle të njeriut ton, të përditshmërisë së tij. Kësaj dua t’i shto edhe idealin tim të shëndoshë kombëtar, me taban mjaft të pasur dhe atdhetar,  vizionin tim për këto çështjesh. Për vec që jam anëtar i LSHK-së në Prishtinë, unë jam anëtar edhe i asaj Zvicerane. Kjo më ka krijuar hapësira të reja për hapje me botën, me artin në botë. Brenda këtyre hapësirave, kam arritur të përkthehem edhe në disa gjuhë e të jem pjesë e shumë antologjive të huaja. Lexuesin e kam të përzgjedhur, sidomos atë të poezisë, kur e kemi parasysh se poezia moderne ka finesa dhe fuqi metaforike, që kërkon edhe lexuesin. Unë jamë vlerësuar edhe nga kritika, dhe shumë vlerësime për rrugën e gjerë tanishme të penës time, këto ditë janë botuar nga kritiku Ilam Berisha, në dy libra; “Gëzim Ajgeraj – poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare 1” dhe “Një zë origjinal i vlerave të artit letrare”. Ka dhe studime tjera nga kritikë në Prishtinë, të cilat do t’i shpalosim me kohë, me që shumica janë në proces.  Në raport me moshën që kam dhe me bagazhin krijues, e ndjej se kemi kohë ende edhe shumçka për të thënë, por edhe për t’u thënë  nga kritika. Ndihem shumë komod në punën time dhe e ndjej se kam  shumë energji e frymëzime për të thënë. Punoj në heshtje, pa kërkesa e etje për reklama, apo edhe etje për t’u dukur.  Fletë vetë puna ime, vepra që po e krijojë dhe  e lë për brezat,  koha do ta vlerësojë më së miri, le ti falemi asaj dhe artit letrar.

QENDRAPRESS: Shumë vargje  lirike. Çfarë është dashuria për ju? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Dashuria për atdheun, për vendin ku u linda e u rrita, për njerëzit e mi, janë vetë lirika e ime. Ato sikur vet`hyjnë në muzën time, apo shpeshë aty i gjej, për të shpërthyer më pas në vargje. Unë jam vet i ndërtuar si njeri, i mishëruar me dashurinë për atdheun, dhe kur atij i jap  nga vetvetja, ndjehem sikur jam i çliruar, se të paktën, kam bërë për të, vetëm kështu ndihem i lumtur dhe krenar. Mendoj se kjo është bërthama  e asaj që quhet dashuri.

Dashuria është e llojllojshme, në kuptimin tjetër kur njeriu dashurohet apo dashuron, ka kuptimin më të ngushtë të fjalës sepse ajo mbyllet brenda dy shpirtrave. Ndjeshmëria e kësaj dashurie, shpeshherë reflektohet edhe në vargje dhe pushton hapësirat. Ndjeshmëria e shprehur në lirizëm, reflekton dhe në krijimtarinë time. Kam shumë vargje lirike, qysh nga mosha e rinisë. Pas viteve nëndëdhjeta, kam botuar në kuadër të Rilindjes,  një libër me lirika; “Ëndrra për parajsë”. Dhe vazhdoj të krijoj vargje lirike.Dashuria për njeriun është ushqim shpirtëror, brenda të cilës gjallon njeriu. Kur humb dashurinë,  duket si një lule pa erë. Ai gjithmonë duhet përpjekur për ta ruajtur atë, rikthyer brenda vetvetes, për ta ringjallur që të mos vyshket kurrë. Njeriu pa dashuri në të gjitha kuptimet, nuk ka ç`i duhet njerëzimit, ai pastaj kalon në urrejtës. Dashuria është  boshti që e mbanë njerzimin e lirika për të duhet të kumboj gjithmonë.

QENDRAPRESS: Pse shkruan Gëzim Ajgeraj …?

Më ndrydh një ngacmim i brendëshëm, që dëshiron  të shpërthejë përtej meje, dhe të dalë hapësirave,  është  muza e ngacmimit që nuk më le të qetë, por  më shtynë nëpër hapsirat e fjalës së shkruar. Ne shkrimtarët, jetojmë që shpirtin e të tjerëve ta lumturojmë, duke e ndrydhur edhe ajkën e trurit tonë, për ta vjelë atë më të bukurën. Megjithatë,dashuria për librin, për fjalën e shkruar, për bukuritë dhe kënaqësitë që i ofron jetës, ia vlen të shkruhet. Kohët ecin dhe me të do të ndryshojnë.

Unë e dua artin e të shkruarit, jetoj me të dhe për të, ajo është pjesë e jetës sime, e shpirtit tim, dhe  më ofron kënaqësinë që e kërkon jeta. Jetoj për artin e me artin e fjalës.

QENDRAPRESS: Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

Kam botuar shumë, në raport me moshën që kam, letërsia është  pafundësi. Mendoj se me kohën pa tjetër do të arrihen edhe projektet e mija. Mërgimi na ka krijuar  zbatica. Pastaj edhe largë mediave për një hapje më të gjerë me publikun. Për atë që kam bërë në art, nuk ndihem ende rehat këtu ku jam. Nuk vrapoj pas emrit dhe reklamës. Unë në art e ndjej veten shumë kualitativ dhe të fuqishëm brenda metaforës, e kjo më mjafton. Preokupimi im është gjithmonë poezia, fuqia e saj metaforike, ngritja sa më lartë dhe hermetizmi i saj. Në jetë gjithmonë synohet kah ngritja e intelektit njerëzor, fuqi e saj duhet t’i paraprijë kësaj ngritje. I gëzohem fuqisë së vargut, metaforës, hermetizmit të vargut,  gjithë asaj që e bën sa më të vështirë vargun për ta kapur në lexim të parë. Kohët e fundit jam preokupuar me romanin, dhe këto dy vite kam botuar disa, duke filluar nga koha e aparteidit në Kosovë, deri në ditët e sotme, një seri romanesh nga zhvillimet në kohë; “Misioni i Kriminelit”, “Serboarmatosja” dhe “Helmimet”, janë tri romane.. Me vlerësime kritike, për veprat e krijuesve tjerë, merrem në vazhdimësi. Po ashtu me esenë, me reportazhet, novelën, tregimin, e poezinë.. Herë pas here editoi revistën letrare; Metafora, këtu në Zvicër dhe në Prizren, një revistë kryesisht të karakterit letrar dhe të vlerave letrare. Sivjet planifikoi që deri në fund të vitit të prezantohem me disa libra; një me poezi, urtinë popullore 2, një roman, vlerësime kritike, një me ese dhe nga arti për fëmijë. Janë të gjitha projekte të përfunduara, vetëm sa të krijoj hapësirat për botim.

QENDRAPRESS: A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde të cilës ia sheh gjurmët edhe sot?

Aktiviteti im, gjatë kohës së idealizmës dhe lufta e Kosovës, janë dy plagë që më përcjellin në vazhdimësi, janë preokupim  në artin tim. Cështja e jonë kombëtare shqiptare, ende nuk është zgjidhur. Ajo ka ende nevojë edhe për neve krijuesit, për  njerëzit e idealit, tek ta e gjen dritën, guximin, sakrificën për një atdhe të lirë e të bashkuar. Një trup i ndarë dhe i copëtuar nuk mund të funksionojë  kurrë si duhet. Ndoshta kjo përgjigje, lindi vetvetiu, karshi ngjarjeve që gjakojnë edhe sot e kësaj dite në trupin e atdheut tim.

Në luftë kam humbur  njerëzit e mi, gjithcka që kam pasur. Ajo në hapësirat e ngushta mbaroi si mbaroi, njerëzit shkuan, dhimbja mbeti. Pasuria kthehet, për të nuk diskutohet. Me dhimbset biblioteka e ime, një dhomë e mbushur përplot me libra nga më të vjetrat, ajo iku shkrumbit që e bëri barbari i veriut të zi.

Këto ngjarje, janë vragë e preokupim në shpirtin tim, se unë kam qenë dhe mbetem pjesë e asaj përpjekje, të cilës i kam shërbyer me gjithçka kam munduar. Sot ndihem ballëlart e krenar. Koha do ti shpalosë të gjitha, t’ja lejmë asajë të flas më së miri. Pavarësisht se këto ngjarje, gjakojnë penës sime, kam dhe shumë tema tjera nga jeta e përditshme, ajo sociale, kulturore, politike, tema lirike – epike, dashurin, etj. Me një fjalë, aty ku prekin kornizat e artit, penën nuk e kursej.

QENDRAPRESS: Autorët tuaj më të preferuar?

Lexoi e zgjedh libra me nivel, kjo është motoja e ime. Libra që më dergojnë miqtë në adresën time,  vazhdimisht i shfletoj kur gjej kohë. Cohelo e Kadareja, Agolli, Shkreli, Noli, Naimi, Fishta, Migjeni, Nice, Cvajgu, Shekspiri, Ëatson…etj, janë preferencat e mia. Në përgjithësi letërsi dhe krijuesit me emër i lexoj. Ka krijuesa,  miq të mij të brezit të ri, shumë të mirë që më tërheqin për lexim. Mendoj se jeta sot është tepër dinamike dhe kërkon kohë.

QENDRAPRESS: Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

Të matësh e  të vlerësosh duhen njohuri më të përafërta me kritikën e sotme, nëse egziston  diku. Kësaj të sotmes, nuk do të ja shtonim atë përvojën centraliste që ka egzistur dikur, sepse do të rëndohej pesha e gjykimeve. Por mendoj se ka ngecje dhe nuk shoh përpjekje, për t’u marrë seriozisht me kritikën. S`do të gjykoja për këtë temë, po të mos merrem herë pas here me vlerësime kritike. Botimet e shumta që bëhen në letrat shqipe, kanë krijuar një lloj kaosi, që kritika e ka të vështirë ti mbulojë ato. Po shtrohet pyetja, kush  merret sot me kritikën? A ka institucione që do të merren me të? Lindin shumë pyetje, që s`do të marrin përgjigje. Ka tendenca individuale, sporadike për t’u marrë pjesërisht me të, por zëra të vetmuar. Gjërat janë klanizuar, rrethuar në rrethe të ngushta shoqërore, miqësore, besa edhe klanore brenda grupeve të interesave, që krijojnë një lloj huti në hapësirat letrare. Për të mos thënë edhe janë materializuar, e pse jo! Nuk ka vend dhe hapësirë për t’u kënaqë, apo bërë qejfin dikujt. A ka kritikë të mirëfilltë? – jam shumë skeptik. Do i shtoja kësaj pyetje, edhe atë të hartimit të planprogrameve mësimore. Atje sikur shfrytëzohet kjo situatë në të mirë të grupacioneve, klaneve dhe interesave të politikave ditore. Planet dhe programet mësimore të shkollave tona, në të gjitha hapsirat shqiptare, kanë nevojë për reformim, strukturim dhe selektim, me tendencë të rritjes së nivelit të dijes në brezat e ri. Hartohen plane dhe programe me interesa partiake, klanore e me rrethe të ngushta shoqërore, nga shija e atyre që i kan në dorë këto gjëra dhe jo nga nevoja e kohës dhe kërkesat e saj.. Mendoj se  koha i ka demoduar dhe shoqëria jonë në përgjithësi  do t’i paguajë vonesat tona në këtë drejtim. Le të zgjohemi e të themi hapur. Poezia shqipe, ka shumë kohë ka ecur në raport me poezitë e popujve të tjerë, por  i qëndroj besnik  këtij vlerësimi, tek ne ende prioritet i jepet asaj të huajës, duke nënvleftësuar atë tonën. Kjo është dobësi. Nuk di unë sot në Kosovë, nëse ende mësohet nga letërsia serbe, apo edhe e popujve tjerë. Unë jam tepër nëncmues, për të mos thënë edhe nacionalist në këtë pikë, por krijimtaria shqipe ka ecur mirë sot,  jo të lihen anash krijuesit tanë për t’u bërë vend të huajve. Neve jemi rritur me Rilindjen kombëtare, pamvarësisht nivelit dhe vlerave, por jemi krenarë me të, sepse në fund të fundit, i rritëm djem e vajza e atdheut, dhe për këtë ende kemi nevojë.

QENDRAPRESS: Jetoni në Zvicër, çfarë ju lidh me Kosovën…?

Prej tri dekada e gjysmë jetoj në Zvicër dhe mendoj se kam krijuar një bagazh të madhë të njohjes me mentalitetin, kulturën dhe artin,  këtu në Europë. Kjo më ka hapur vizion dhe më ka shtyrë edhe më tepër ta dua vendin tim, kulturën time, artin e vendit tim, pse mos të them, më ka bërë nacionalist në kuptimin pozitiv. Unë atje kam vendin tim, njerëzit e mi, gjakun, gjithë investimin jetësor timin, e pse jo edhe varrin. Në atdhe  udhëtoj  tre deri në katër herë brenda vitit dhe jam tepër  i lidhur me njerëzit e mij, me rrethin shoqëror me të cilët komunikoi thuajse çdo ditë. Kam nënën time, varret e babait, të gjyshit e gjyshërve, kam atdheun, të cilin nuk e jap për asnjë çmim në botë. E gjithë kjo lidhshmëri me vendin, është pjesë e mishërimit tim me atdheun, brenda të cilit e gjejë peshën time, peshën e emrit tim, dhe  dheun e varrit ku dua të prehem. Vendi i huaj mbetet i huaj dhe kurrë i imi. Nëse ju keni përcjellë, apo sa do pak keni lexuar nga krijimtaria e ime, do të kërkoja të më gjenit një emër tjetër që më së tepërmi i ka kënduar mallit për atdheun. Është shumë e vështirë të gjeni, e di vetë se cili është përkushtimi i im. Mjafton ti shikoni vetëm titujt e librave të mi, rreth kësaj teme,  do të bindeni vetë. Jo rastësisht, nga libri i parë i poetit Ilam Berisha, që e bënë për gjysmën e krijimtarisë sime, e titullon; “Gëzim Ajgeraj – poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare 1”. Prandaj, mund të them se me Kosovën edhe pse jamë larg saj, jam i lidhur si mishi me ashtin.

QENDRAPRESS: Mesazhi juaj për talentet e reja në përgjithësi?

Është ca e dhimbshme, nëse i përdorë të gjitha kriteret që i parashtroj vetes. Sot botohet shumë dhe vështirë të mund të gjykosh në raport me atë që botohet. Njëherë në qytetin tim të lindjes, një gocë kishte botuar një libër. E pashë me shumë rezerva, por megjithatë i dhashë një vlerësim në ditën e promovimit. Në funde i thashë edhe këtë; uroj që rruga e artit të shkrimit, t’ju përcjellë në jetën tuaj. Për dymbëdhjetë vite, nuk i dëgjova zërin më. Ishte martuar pas asaj kohe dhe ku e di ku kishte përfunduar. Këso botime të këtyre natyrave, kemi mjaftë sot. Dua të them, pak nga ata e ato që e bëjnë përkushtim jetësor rrugën e artit. Dorën në zemër për ata që hyjnë në maratonën e artit për të vazhduar deri në finish. Pra, respekt për ata që hyjnë me këtë synim, sepse duhet gjykuar gjithmonë përpara se të hyhet, nëse do të mundë ti bëjë ballë kësaj maratone. Kjo do të ishte porosia më e mirë për krijuesin e ri. E jo si një sprovë që dua të hyjë, po nëse do të mundë t’i bëjë ballë mirë, nëse jo, e lë kur të dua. Unë jam kategorik kundër këtij mendimi. Sprovat mundë të bëhen, por jo sa për ti vënë një emër vetvetes dhe pastaj punë e madhe. Kjo sikur timgëllon keq dhe i vë një njollë artit të shkrimit. Kështu do të dukej fillimisht, por më vonë kur krijuesi e braktis atë, njollën më të madhe do të ia vë vetes. Respekt për ata që kanë mendim serioz në artin e penës.

QENDRAPRESS: Ju Faleminderit

Faleminderit dhe juve, miku imë i e penës, Qazim Thaçi, faleminderit për’’QendraPress’’. Një falënderim të veçantë për mundësinë dhe kënaqësinë që më krijuat, për t’u shprehur lirshëm brenda kësaj interviste. Faleminderit./qendrapress.com/

Intervistoi; Qazim Thaçi, Prizren

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *