Mbështetet ideja e Kurtit për padi ndaj Serbisë për gjenocidin në Kosovë

0

Në konferencën e djeshme për shtyp, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë prezantimit të plan-programit qeverisës, njoftoi edhe për fillimin e punës në padinë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë për periudhën e luftës së fundit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me seli në Gjenevë përshëndet këtë vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë. Arritja e drejtësisë për gjenocidin në Kosovë do t’i kontribuojë paqes në këtë pjesë të botës dhe do të jetë një kontribut për parandalimin e akteve të tilla të shëmtuara në të ardhmen anekënd botës”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre. Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” thekson se do të angazhohet në vazhdimësi për të dhënë kontributin e vet maksimal në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *