Çaste poetike me poeten;-Greta KADARE TETA

Shtegu i fundit
————————–
Një ditë dora e vdekjes do më marrë,
por ti sheshoje,sheshoje shtegun
nën këmbët e mia,
vishmë me bukurinë që pas e lashë,
me shkëlqimin e yjeve që m’i more e s’t’u dhimbsa,
ngrohmë me zjarrin e dashurisë që u shter,
mbuloma dhembjen me baltën e të vdekurve,
lumturom me dritat e syve e kurrë mos m’i resht, ZOT;
s’di ç’tjetër thirret lumturia e paepur.
I kam ngjitur një nga një shkallët me dëshirë,
ta pushtoj kështjellën majë reve një të dielë,
dhe në është e shtunë frikë nuk kam,
flladi i një qiparizi do më përkëdhelë.
Kanë filluar sytë të më vishen që sa gdhin,
shoh një shkëmb të thepisur deri përtej;
po unë ngjitem, vazhdoj ngjitem krejt pa gajle,
di deri ku kam mbërritur, por eh,
s’di cilin shteg të marr për tej.
Më dridhen këmbët, duart po më mpihen,
vazhdoj ngjitem me lëngimin që s’më lëshon,
dua të ngre atje lart fole, t’i ngjaj një zogu,
e në ikje ata që më deshën t’i ngushëlloj.
Kam kaluar detin, edhe kodrës iu ngjita,
në mal thonë zëri yt flet.
Emri im doli nga qenia jote;
s’kam frikë të rrëfehem për ngjitjen time deri tek retë.
Një të fundit lutje kam, ZOT:
atje shtrat duart e Nënës dua t’i kem.
/QendraPress/