Çaste poetike me poetin ;Sahit OSMANI
DREJTQËNDRIMI YT
————————-
Ishe një hap a dy para vetes,
Arrite ta njohësh të dijes lartësi.
Padashur u gjete në shkretëtirën e gënjeshtrës,
Nuk u mashtrove
*****
Nga përmasat e saj vrasëse,
Por shkove drejt oazave të së vërtetës.
Pasi e shove etjen me ujin e së vërtetës
U bëre diell e jetën fillove ta rrezatosh me dashuri.
*****
Tash ngjitesh shkallëve të jetës,
E kthjellët, e pastër, e bardhë,
]Hulumton gjithë universin,
Ardhmëria duhet të jetë e mbarë!
*****
Me dashuri e mirësi rritet jeta,
Bëhet lis kurorë madh
Bëhet bjeshkë që s’përkulet.
Guximi njerëzor e mund të keqen
****
E jeta shndërrohet në kopsht
Më të madh se Kopshti i Edenit,
Ku çelin lulet me polenin e përjetësisë.
Dashuria qenka Urë që i bashkon njerëzit!
LIRIA MË ZURI NË RRUGË
——————————
Në ditën e lirisë i mungova atdheut
Isha në rrugën e kthimit nga dëbimi i dhunshëm.
(Në rrathë ferri na patën mbyllur
E dhimbshme ishte rruga
Plagët kullonin gjak deri në palcë të shpirtit.)
****
S’dija të qaja a të gëzohesha
Liria më zuri në rrugë.
Kthimi ishte i madhërishëm
Edhe pse atdheut i mungova në ditën e lirisë
Ai më priti gëzueshëm edhe pse i vrarë e i djegur…
****
(Po aq sa mund të shkeleshin yjet në qiell
Po aq mund të vritej liria e atdheut
Ndonëse vriteshin njerëzit e digjeshin shtëpitë
Po atdheu shndërrohej në feniks
****
Bëhej më i bukur, më i shndritshëm.)
Liria e atdheut të zënka kudo që të jesh
Nëse me trup e shpirt atij i shërben.
NJË HERË E PËRGJITHMONË
___________________________
Në të zëntë gjumi i botës
Kur s’e ke veten në dorën tënde,
Bëje të pamundurën,
Të pamundurën bëje
****
Për t’i ikur vdekjes!
Vëri pikën butësisë së dashurisë
Kujtesa do të shkrihet
Çdo çast i jetës do të rikthehet sërish
*****
I veshur me rroba fisnikërie.
Edhe nëse del nga bota e jote
Merri me vete të gjitha mësimet e saj
Se kur kontakton me botëra të tjera
****
Të duhen si buka e uji,
Si ajri të duhen!
Ke dalë nga mjegullnajë e kohës
Me shumë plagë në trup,
Por vdekjes i ke ikur
Njëherë e përgjithmonë.
LIRIA NUK ËSHTË VETËM STATUJË
——————————————
Është ngjizur me palcën e shpirtit
Lindur mes dashurisë, gjakut e dhimbjes
E mbërthyer për zemër, si zemër jep gjak
Ditë për ditë e natë për natë.
****
E rrënjosur shtresave të atdheut
Dashuri, që frymon në çdo kohë
E rrezaton nga drita e diellit
Çast për çast e orë për orë.
****
Liria nuk është vetëm statujë
E mbajtur në duart e pastra njerëzore
ëpër kohëra me diellin mbi sup.
Liria është flijimi i dhimbjes shpirtërore,
*****
Është shëmbëllimi i bukurisë së gjakut
E dashuri për dashuri dhuron.
Udhëve të luftës rilind,
Kohës ia shëron plagët.
E ndezur përjetësisht qëndron.