Tragjeditë e heshtura: Rrëfimet për gratë e dhunuara nga serbët gjatë luftës që vdiqën pa i treguar kurrë

0

Autor: Mirlind Behluli

Nëntori i ftohtë i 2020 ishte i fundit për gruan 83 vjeçe nga regjioni i Mitrovicës. Q.Z., e dhunuar gjatë luftës nga ushtarët dhe policët serbë së bashku me vajzat e saja, asnjëherë nuk foli për mizoritë që i përjetoi në mars të 1999-tës. Rrëfimi i zonjës Q.Z., si edhe mijëra grave të tjera viktimë të dhunës seksuale, mbeti i pa rrëfyer. Së bashkë me veten, ajo mori në varr edhe tragjedinë e saj.B.Z, vajza e Q.Z., e hap derën ngadalë në kafenenë ku zakonisht shkonte së bashku me nënën e saj, me të cilën e ndante një rrëfim të njëjtë tragjik: dhunimin nga forcat serbe.Me hapa të vegjël ulet e vetme në tavolinën në qoshe të lokalit që gjendet në qendër të Prishtinës.Rrëfimi i saj për nënën është i gjatë, plot dhimbje.“Në mars të 1999, serbet hynë në shpijen tonë. Edhe nisën me na dhunu krejt gratë që i gjetën aty. Nana është dhunu duke na mbrojt neve, i gjujke serbët, i shajke, u munojke me i nal. Dikur u nervuzuan edhe nisën me dhunue edhe atë. Ajo ishte e moshuar kur u dhunue nga serbët”, e nis rrëfimin B. per Gazetën Online ”Reporteri.net”.“Përveç që është dhunue prej disa vetave, policët e ushtarët e kanë rrah, e deri kur ka dekë ka pas problem me kamë”, vazhdon B.Por rrëfimin për veten, Q.Z. nuk e ndau kurrë me askënd, ndonëse vajza e saj thotë se ajo dëshironte të rrëfehej tek autoritetet e vendit.“Nana ka dek, ka shku pa ja dëgju kurrë kërkush rrëfimin edhe pse ajo ka pas qef me fol. Nana jeme ka pas qef dikush me dëgju çfarë përjetime, çfarë dhimbje ka pas, por s’kanë qenë të interesuar me pa çka ka hjek nana. Kurrë kërkush s’u ardh me e dëgju, edhe pse i kemi bo ftesë shumë kujna me ardh”, tha B.Q.Z. asnjëherë nuk aplikoi për ta marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së 1998-99 ashtu siç e parasheh ligji.E gjithë çfarë ajo dëshironte, sipas vajzës së saj, ishte të ndante historinë e saj me autoritetet e shtetit të Kosovës.“Ajo i ka pas 80 e kusur vjet, ska mujtë me u ngjitë shkallve që me mujtë me u regjistru, se u kanë smutë prej bronitisit. Ndihem shumë e zhgënjyer prej autoriteteve, shumë, tepër që nana s’ka mujtë me u rrëfy. Nana jem ka dek heroinë”, përfundon rrëfimin B.
Heshtjen si ‘përgjigje’ karshi ngjarjes më tragjike në jetën e saj, e zgjodhi edhe G.N. nga Drenica, që vdiq para 7 viteve.Gruaja që ishte dhunuar nga 12 policë, ngjarjen e se cilës e tregon një e afërme e saj për Reporteri.net, thotë se gjatë tërë jetës pas luftës, G.N. jetoi me qetësues pasi që nuk i përballonte kujtimet që ‘si hiqeshin nga mendja’.“Ja kanë marrë burrin peng, edhe ka shku me kshyrë ku është s’bashku me dy djemtë e vegjël. E kur ka shku në polici, e kanë dhunu para syve të dy djemve”, e tregon e afërmja e G.N.Ajo thotë se G.N. ndihej keq që s’arriti kurrë të tregojë ngjarjen e kobshme të saj.“U ndi shumë keq. Gjithë ka nejtë me qetësues. Burrit ja ka kallxu historinë, ai u pajtu ama i ka thanë që mos me fol kurrë për këtë punë, mos me e dëgju kurrkush tjetër rrëfimin e saj qysh ka ndodh”, shton familjarja e G.N.Dy motrat (K.B., 22 vjeçe e martuar dhe H.R. 18 vjeçe) nga regjioni i Dukagjinit, nuk arritën të jetojnë asnjë ditë më shumë pas dhunimit seksual që përjetuan.“Ato dolën me marrë harxh n’shitore edhe i kanë marrë policia serbe. I kanë dhunu të dy motrat. Masi ju ndodhi kjo, shkun n’shpi edhe te dy motrat edhe janë furë dyjat me litar”, tregon motra e mbijetuar e K.B. dhe R.H.Njëjtë si dy motrat, vepruan edhe dy gra të komunitetit pakicë (ashkali), të cilat u vetëvranë menjëherë pas përdhunimit që u ndodhi.Rrëfime të pathëna të grave e burrave që janë viktimë të dhunës seksuale ka me mijëra.Shumica prej tyre kanë zgjedhur heshtjen para rrëfimit.Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar, vetëm 1503 persona kanë aplikuar për t’u njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës.“Deri më tash kemi pranuar 1503 aplikacione, prej tyre 922 femrave dhe 37 meshkujve i’u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet në përgjigjen e Komisionit për Reporteri.net.Por shumë prej tyre, ndoshta kurrë s’do të aplikojnë për këtë status e tashmë shumë gra e burra viktimë të dhunës seksuale kanë ndërruar jetë pa u rrëfyer tek autoritetet e vendit.Gazeta Reporteri.net nëpërmjet kanaleve të saja, ka identifikuar dhe konfirmuar 43 viktima të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë vitit 1999 e të cilat përjetimet e tyre i morën në varr.Ato kanë vdekur e rrëfimet e tyre janë të munguara, janë tragjedi të heshtura./Reporteri.net.

*Inicialet e personazheve në artikull janë fiktive, me vendim të redaksisë. Identiteti i tyre është i njohur për redaksinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *