Çaste poetike me poetin; Andris Lleskai
Uni(k)formës së kolegut
—————————————
Sa zili të kam koleg!…
Sa të ndryshëm jemi!…
Secili don atë që s’i përket,
atë që i mungon në thelb.
Dhe nuk jam ai tip ziliqari
që dua diçka tënden,
jo!…
Ti bën atë jetë familjari
që si ti sot gjenden
kudo,
kurse në këmishë beqari
unë vras mendjen:
-S’do!…
E ke dëgjuar?! “Kur s’do – s’do!”…
E kam provuar sa herë ndër vite,
të gjej jo dikë të më dojë siç të do,
por që të më bindë se është besnike.
Dashuria vjen vetë, koleg,
jo si ti që e mbyll me fëmijët në çelës
për të vajtur e kyçur në një hotel me tjetrën.
Ti kujton se kam respekt
për dikë që krenohet, në fund të herës,
se është tradhëtar, e teksa rrëfehet, qeshën?!…
Do më mahnisje në pubertet,
por më beso, jo pas adoleshencës,
a e di sa këmishën e poetit e duan, deshën e veshën?!…
Kam kujtesë të dobët, koleg,
s’i kam dashur kurrë numrat,
mbase ngase mua ndërmend
më rri perfeksioni, jo shumat.
Megjithatë, jam menjdehapur,
nuk paragjykoj, e porosisim dhe nga një birrë,
me dolli copërash dashurie gurmazet tona le të denden!
Dije se çdo njeri e kam falur,
për parimet me të cilat jeton jetën e tij i lirë,
as skulpturat e të së njëjtën dorë, njëlloj nuk gdhënden.
Gotat e Paulanerit përplasur,
gishtërinj të ndryshëm pëllëmbës së shtrirë,
koleg, dua të dish sa zili të kam, pa dashur asgjë tënden!
I lashë të zbohen përjashta jetës sime,
ashtu sikur ti, ngela duke kyçur dyer.
Sa do doja që këtë këmishën time
veç një dorë të ma kishte zbërthyer!
0822