Gëzim Ajgeraj, shkrimtar /RECENSION  Zehadin Gashi: NJERIU I MIRË – Çerkin Bytyçi (Në 65 – vjetorin e lindjes dhe 50-vjetorin e veprimtarisë), Monografi, Botoi: “Blendi”, Prizren, 2022

Një mësues i mirë, një prind i mirë, që kanë personalitet, krijojnë vepra të mira e të dukshme, që japin zë e emër në shoqëri, ata gjithmonë kanë primatin të shndërrohen shëmbëlltyrë për rrethin ku jetojnë dhe shoqërinë e më gjerë. I tillë ishte Çerkin Bytyçi, i cili me punën dhe angazhimin e tij në të mirë të vendlindjes së tij, nxënësve në shkollat ku punoi, aktiviteteve të tjera kulturore që bëri po në interes të shoqërisë së gjerë, krijuan gjurmë që po merren si shembull i mirë edhe për brezat e rinj, e në veçanti nga nxënësit e tij, për t’u çmuar, për t’u respektuar, por edhe për t’u kujtuar e nderuar deri në vepra madhore.

Shembulli që kemi përpara nesh sot, është pikërisht ky libër, një dëshmi e fakt që një nxënës, tani më titullar i lartë i gradave shkencore, dr. Zehadin Gashi, merr përkushtimin për të kthyer në vepër shëmbëlltyrën e mësuesit të tij shembullor, si dhe për ta dokumentuar atë, jetën dhe aktivitetin e gjithanshëm të tij, në një vepër monografi, të cilën tanimë e kemi në dorë edhe ne. Duke e vlerësuar këtë shembull të dr. Zehadin Gashit, arrijmë të shpalosim në vija të trasha edhe jetën, edhe veprën, edhe kontributin, edhe sfidat e jetës së mësuesit, atdhetarit, veprimtarit, humanistit, por edhe të poetit e shkrimtarit, Çerkin Bytyçi, i cili me punën e tij, ka bërë të jetë shembull i mirë, jo vetëm për nxënësit, apo ish-nxënësin e tij, Zehadin Gashin, por edhe për shumë breza, një shëmbëlltyrë e vendlindjes, Vërrinit, Prizrenit e edhe më gjerë, ku veproi e punoi Çerkini.

FOTOGRAFIA DHE FAKTET

(Një analizë e shkurtër në përmbajtje)

Autori me një parathënie të shkurtër na shpalosë arsyet dhe qëllimin e misionit të tij fisnik, që merr këtë sfidë mbi vete, për ta portretuar në libër figurën e Çerkin Bytyçit në libër, edhe atë brenda një kohe shumë të shkurtër, pikërisht përpara ditëlindjes së jubileut të 65-të të personazhit të librit. Me një biografi të shkurtër që na jep, fillimisht, ajo i paraprinë fakteve të mëvonshme që na vijnë brenda librit. Gjeneza e librit niset, pikërisht nga familja, vendlindja e Çerkinit (Hoqa e Qytetit), të cilën e fillon përmes një albumi fotografish, e të cilat flasin më shumë se fjala. Babai Mehmeti e nënë Gjylferia, janë dy prindërit, që sollën në jetë Çerkinin, i cili hapave të veta do të ketë një rrugëtim të vështirë jetësor, por që do të kulmojë me shumë suksese e të mira në jetë, si për vete, por do të bëhet kontribuues edhe për shoqërinë e gjerë.

Familja e tij do të shtohet dhe me bashkëshorten Nedimen. Do t’ju lindin fëmijët: Artani e Arlindi. Familjes do t’i shtohen edhe nipa e mbesa, si nipi: Loriani, mbesat: Alea e Liara. Sukseset e fëmijëve të Çerkinit do të vazhdojnë, krahas atyre të babait, në arsim e edukim, për të arritur sa më lartë. Por, ne do të ndalemi edhe pak tek aktivitetet e Çerkinit, të cilat i kemi të dokumentuara në fotografi, dhe që janë një pasqyrë e mrekullueshme e kontributit të tij të gjithanshëm. Kujtojmë këtu: Çerkinin si gazetar në gazetat e revistat e kohës, aktivist në ansamblin e Hoqës së Qytetit, poet e publicist, kujtime me nxënës nëpër shkollat ku punoi, i dashur e i çmuar me shokë, kujtime me elitat shqiptare të kohës, kujtime me sportistë, miq e familjarë, që në vija të trasha prezantojnë pjesë nga jeta dhe veprimtaria e tij. Në shpalosje më të gjerë të këtij albumi, kujtimet për miqtë, shokët, vendasit e tij dhe ata që i qëndruan pranë, janë personazhe të pandashme të objektivit të këtyre fotografive.

Prezantimet në fotografi, pasqyrojnë edhe aktivitetin e Çerkinit, në diasporë, ku ai veproi e punoi për dekada të tëra si mësues, aktivistë , poet e shkrimtarë. Thënë në pika të shkurtra, i gjithë aktiviteti kulturor, arsimor, artbërja e artprezantimi, është sjellë brenda librit, përmes fotografisë, si dëshmi më e mirë për lexuesin në njohjen e aktivitetit dhe punës e jetës së Çerkin Bytyçit.

KRIJIMTARIA LETRARE NË OBJEKTIV

Tanimë dihet se, Çerkin Bytyçi ka të botuara mbi tridhjetë vepra letrare të zhanrit poezi, tregime, poezi për fëmijë e të rinj, monografi e libra të tjerë publicistikë. Tanimë opusi i tij letrar ka vend të merituar në letrat shqipe. Sigurisht se kësaj krijimtarie i shtohet edhe publicistika dhe gazetaria që, Çerkini, e ka kultivuar qysh në moshën e re rinore.

Pra, autori i librit, Zehadin Gashi, tregohet shumë i kujdesshëm në mbledhjen dhe prezantimin e krijimtarisë së Çerkinit, përmes kopertinave të librave, si një dëshmi faktike e punës dhe e kontributit të dhënë në letërsi. Si gjithmonë, për Çerkinin, bota e fëmijëve ka qenë frymëzim që me punën e tij, ka sjellë shumë libra nga zhanri i letërsisë për fëmijë, si: “Bota e numrave”, “Klinika e kukullave”, “Në gjah pas drenushës”, “Dielli i vendlindjes”, “Gjuhë e zemrës”, “Abetare për parashkollor”, “Macja me celular”, “Mësuesen na e sjell interneti”, “Loni i pallatit tim”; libra arsimorë për shkollat shqipe në diasporë, etj. Gjithashtu, Çerkini me libra na vjen edhe me libra studimorë, si: “Vërrini nga Lashtësia”, “Arsimi në Vërri të Prizrenit”, “Ansambli etno-kulturor i Hoçës së Qytetit”, etj. Monografia është art i pandashëm i penës së Çerkinit. Ai solli edhe disa monografi, si: “Prim. dr. Daut Mustafa”, “Luan Krasniqi – nga Kosova drejt kampionit botëror”, “Frok Kristaj – doajen i kulturës shqiptare”, “Marash Gojani – veprimtar dhe humanist i diasporës”, “Prof. dr. Gjergji Minga – skalitës i dijes dhe i atdhedashurisë”, “Nga thesari kulturor i Atdheut”, etj. Librat e tjerë janë: “Me zemër të mbushur Atdhe”, “Hija e dhembjes”, “Buzëqeshja e Hyjit, “Urë atdheu”, “Emra që nuk harrohen”, etj.

MIRËNJOHJE DHE VLERËSIME

(Të tjerët për Çerkinin)

Puna dhe kontributi, gjithmonë vlerësohen, aq më tepër për njeriun e urtë, të mirë, për mësuesin, publicistin, gazetarin, poetin, por edhe humanistin, siç ishte e është Çerkin Bytyçi. Ai brenda arkivit të vet gëzon mirënjohje të shumta, që autori i librit na sjellë edhe brenda kësaj monografie. Por, veçantia e këtyre mirënjohjeve e vlerësimeve është ajo që shkruajnë miqtë e Çerkinit, enkas për këtë libër jubilar të 65-vjetorit të lindjes dhe të 50-vjetorit të veprimtarisë së tij. Le të shpalosim në vija të trasha, atë që e thonë miqtë e Çerkinit, për Çerkinin. E takova vonë, por e njoha thellë, thotë Sulejman Dërmaku: Sinqeriteti në komunikim, maturia në fjalë, respekti për bashkëbiseduesin, humori i çiltër, të gjitha këto bëjnë që ai të mbetet një mik gjithnjë, sepse një mik të tillë do ta donte çdokush.

I hareshëm përballë fëmijëve, e thotë shkrimtari Ibrahim Kadriu: E njihja edhe para se të takohesha me librat e tij, me librat e shumtë për fëmijë e të rritur, përmes të cilave “shpalosen” ndjesitë dhe frymëzimet ndaj fenomeneve të ndryshme në jetë, në natyrë dhe në shoqëri.

Shëmbëlltyrë me virtyte të larta njerëzore – krenari e Vërrinit dhe e Prizrenit, e quan Gëzim Ajgeraj: Njeri i madh, mësues i përkushtuar, atdhetar i devotshëm, edukator dhe prind i mrekullueshëm, njeri i sinqertë e plot mirësi e dashuri, shpërndarës i dritës së dijes gjithandej, ku rrezaton, poet e shkrimtar, vërrinasi im, miku im i gjaakut e i pendës.

Kujtimet që nuk zbehen kurrë, e thotë Bashkim Hisari: Përherë ishte aktiv, punonte me këmbëngulje, me guxim, me ambicie pozitive dhe me aftësi fenomenale për të parë gjërat e duhura, ndërsa në momente të vështira, pa lëkundje, luftoi kundër padrejtësisë, mizorisë dhe paragjykimeve.

Çerkin Bytyçi, poet që mban atdheun me vete, shkruan, Nexhmije Mehmetaj: Me shembullin dhe vargun e tij, ai është i vendosur të arrijë qëllimin që i ka vënë vetes; t’u falë njerëzve, fëmijëve dhe të rriturve, ndjenja të çiltra dhe bujare, dashuri, humanizëm dhe mirësi.

Çerkin Bytyçi – asnjëherë nuk u përkul para sfidave, shkruan Frrok Kristaj: Është një njeri i mirë, një prind i dashur, një punëtor i zellshëm dhe i vyer, një letrar shembullor e i suksesshëm, një veprimtar i devotshëm, një shpirt humanisti e, në përgjithësi, një njeri tej mase modest.

Është person i parë që e pata admiruar në cilësinë e gazetarit dhe një njeriu bujar, shkruan publicisti, gazetari e poeti, Qazim Thaçi: Është një burrë vërrinas, që ka një bagazh mirësie, që matet me një epokë, kurse për veprimtarinë e tij, ai do të mbahet mend nga shumë njerëz, që e njohin nga afër për sinqeritetin e respektin që ka ndaj njerëzve dhe, mbi të gjitha, për bujarinë e tij fisnike.

Njeri i respektuar e i vlerësuar, krijues e intelektual i kohës, shkruan poeti dhe vendësi i Çerkinit, Murat Gashi: Është njeri modest e i përkushtuar, intelektual i pashoq, njeri humanitar e aktivist, poet e shkrimtar me vlera artistike dhe një zë i çiltër e i njerëzishëm në tokën shqiptare, i cili me shkrimet e tij krijuese shndriti si rrezja e një ylli dhe planeti që nuk shuhet kurrë.

Njeriu i mençur e zemërbardhë, vlerëson Jakup Qovanaj: Është njeri me peshë në qarqet intelektuale dhe ato krijuese, me një ndikim të padiskutueshëm edhe në jetën familjare, shoqërore e institucionale, duke zbuluar çdo skutë të shpirtit njerëzor, të njeriut të mençur e zemërbardhë, me një pamje e shpirt të praruar, duke ndriçuar anë të tëra të personalitetit të Tij.

Njeri me vlera, kontribut dhe gjurmë mbresëlënëse, shkruan Shefajet Berisha, bashkëvendës i Çerkinit, i cili pos respektit që ndanë, Ai e vlerëson lartë punën, kontributin dhe krijimtarinë e personazhit të këtij libri: Ishte dhe mbetet një rreze ndriçuese dhe lokomotivë, që asnjëherë dhe në asnjë rrethanë të kohës, pavarësisht, nga sfidat dhe vështirësitë, nuk u ndal në misionin e tij, që rrezaton dhe bartë afërsi, dashuri, miqësi, mirësi, shtytje dhe përkrahje për të punuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Le të themi dhe disa fjalë për autorin e librit, dr. Zehadin Gashi, i cili me punën dhe përkushtimin e tij, të përgëzojmë për idenë, përmbledhjen dhe prezantimin që i ka bërë ish- mësuesit të tij, Çerkin Bytyçi, brenda hapësirave të këtij libri prej 178 faqesh dhe, ia ka dalë të prezantojë aq mrekullisht figurën e plotë të Çerkinit, mësues, aktivist, publicist e gazetar, humanist, poet e shkrimtar, e mbi të gjitha të një njeriu të mirë, siç e quan edhe në titullin e këtij libri. Duhet thënë edhe faktin se autori, gjithë punën e tij brenda librit, e ka bërë brenda një konfidencialiteti të thellë karshi personazhit të tij, deri në ditën jubilare të 65-vjetorit të tij dhe të 50-vjetorit të veprimtarisë së Çerkin Bytyçit, kur edhe e ka shpalosur librin në mënyrë solemne. Do ta përfundojmë këtë shkrim me fjalët e Sulejman Dërmakut, i cili shkruan: Urimet më të mira për kryepersonazhin dhe përgëzime për autorin, për këtë ndërmarrje aq të ngrohtë e mbresëlënëse, nëpërmjet së cilës në mënyrën më të mirë të mundshme e ka shprehur mirënjohjen për mësuesin e tij.

Urojmë edhe ne për suksese të reja të autorit, Zehadin Gashi dhe për mikun tonë, poetin, Çerkin Bytyçin, për suksese të reja në jetë e krijimtari!

Grabs – Zvicër, 5 dhjetor 2022