Krasniqi: S’ka më ushtarë serbë në Kosovë, kjo çështje është mbyllur më 1999 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se do të kërkojë të enjten nga KFOR-i që t’i dërgojë 1000 ushtarë serbë në veri të Kosovës.Krasniqi tha se kjo deklaratë nuk duhet të merret seriozisht. Ai tha se vendosja e ushtarëve serbë në Kosovë është çështje e mbyllur para 23 vitesh.“Për fat të keq retorika luftë nxitëse e Vuçiqit ka qenë e vazhdueshme por agresive në ditët e fundit. Kërkesa për kthimin e trupave serbe nuk vlen të merret seriozisht. Nuk ka asnjë vlerë. Në Kosovë s’do të ketë më asnjë ushtar serb dhe kjo është çështje e mbyllur në 1999. Këtë e di secili serb, por kjo është një tendencë për të krijuar ndjenjën e frikës tek ata që jetojnë atje dhe për të instrumentalizuar në skemën e Serbisë. Lojëra të tilla i kemi parë në të kaluarën”, ka thënë Krasniqi për Abc News.