Poezi e përzgjedhur nga poetja ;Flogerta Krypi

***

Një ditë do të ikim bashkë në Berlin
Do ndjesh mjekrën time të dridhet çuditshëm
Do të më shohësh tek humb nën një shikim
Që për ty nuk gjendet, nuk është i arritshëm.

Do përpiqesh të kuptosh ç’po ndodh
Diku në horizont të gjesh magjinë
E tek sytë e mi të lotojnë do i shikosh
Do më pyesësh,
si mundet një qytet të tregojë dashurinë?

Unë përhumbur në botën time njerëzore
Do përpiqem të të shpjegojë me fjalë
Që dikur në një botë përpjesëtimore
Në këtë qytet, liria, peng më është marrë.

E di nuk do të më kuptosh dot
Ndaj do qëndrosh i humbur në përqafim
Duke u përpjekur të gjesh një Zot
Që arrin të më kuptojë mua në Berlin.

E kur nuk do ta gjesh, do të pushosh
Se ti e di, Berlini do jetë aty gjithmonë
E prapë një ditë do të shpresosh
Që Berlini do ma kthejë lirinë, përpara se të jetë vonë.