Fryma poetike e së dielës me poeten;-Teuta BIÇAKU
Pranverë
——————
U vesha sfiluesve në pasarela
mantele blu si qielli,
me lulet e bajames,
kumbullës,pjeshkës, mimozës naziqe…
Nuk e solla dot pranverën,
se pranvera është mozaik i pafund ngjyrash,
me lule , sythe dhe të njoma bisqe.
U spërkata flokët kalimtarëve me shkëlqim ari të verdhë,
por nuk u bëra dot diell pranvere.
Se agu pranveror mbi pikla vese
më verboi me pafundësi rrezesh.
U mbusha njerëzve brazdat e moshës në trup
me diamante plot shkëlqim.
Por nuk zëvendësova dot diamantet e lumenjve,
që zbresin maleve me gurgullimë.
Hodha kudo pika parfumesh erëkëndshme,
nga më të shtrenjtat në botë.
Por aromën e tokës mbështjellë me pranverë,
s’e mposhta që s’e mposhta dot.
Mblodha gjithë filarmonitë e botës,
prodhuan tinguj melodiozë plot harmoni.
Por tingujt që sjell rizgjimi i natyrës në pranverë,
nuk i tingëlluan dot në veshët e mi.
Mblodha vorbulla ere botës anembanë,
t’i grahnin zogjtë shtegtarë, t’i sillnin fluturim…
Po vetëm pranvera i grishi, i solli,
se pranvera është pushtet, dehje, rizgjim.
(T. Biçaku mars 2021)
/www.qendrapress.com/