Hiqet guri përkujtimor i nënës gjakovare që e dogji vetën pasi i varrosi eshtrat e djemve të vrarë nga serbët
Profesori universitar, Ag Apolloni, ka thënë se Guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë, është larguar pasditen e djeshme nga pronari i tokës ku ndodhej.Këtë ai e ka dokumentuar përmes disa fotografive të publikuara në Facebook, e nga ku i ka bërë thirrhje Qeverisë e qytetarëve që ta mbrojnë këtë simbol, dhe ta kthejnë gurin aty ku ka qenë, në Korenicë të Gjakovës.Apolloni ka thënë se ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare dhe se ai është larguar nga aty nga pronari i tokës. “Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike (se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!”, ka shkruar Apolloni.