“Ushtria britanike do ta mbrojë Kosovën nëse është e nevojshme”, mesazhet e fuqishme që kryediplomati britanik la gjatë vizës në Kosovë
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.
Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Cameron ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Cameron për Reuters ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se ajo që ka ndodhur në veri është mjaft shqetësuese dhe se duhet bërë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar që diçka e tillë të përsëritet dhe që të luftohet nëse diçka e tillë do të ndodh përsëri.
Kryediplomati britanik ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur që ka nevojë për stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Mbretëria e Bashkuar po e ndihmon me të gjitha këto.
Ai ka thënë se ndalimi i atyre që cënojnë sigurinë e Ballkanit dhe krijojnë probleme në rajon është në interesin direkt kombëtar të britanikëve.
“Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri. Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe Britania po ndihmon me të gjitha këto dhe është e drejtë që ne e bëjmë. Stabiliteti në Ballkan dhe siguria në Ballkan, dhe ndalimi i atyre që dëshirojnë të shkaktojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme është në interesin direkt kombëtar të Britanisë dhe prandaj jam këtu, për të falendëruar trupat tona për punën që bëjnë dhe për të punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmua ata me agjendën e tyre duke njohur faktin se ata janë një shtet sovran që meritojnë mbështetjen tonë derisa ata përpiqen për siguri dhe sukses”, ka thënë Cameron.
Nga Kosova ai ka dhënë një paralajmërim të fortë se ushtria britanike do ta mbrojë Kosovën nëse është e nevojshme.
“Foreign Office”, ka publikuar në platformën “X”, fjalën e kryediplomatit britanik, që më parë kishte shërbyer si kryeministër.
Në ato fjalë, Cameron ka thënë se “ka forca që duan destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”.
Ai përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
”Jam këtu në kampin “Film City”, në Prishtinë, Kosovë për të falënderuar trupat britnaike që janë pjesë e NATO’s këtu për të bërë punën e tyre vitale. Por më shumë, unë kam ardhur në Kosovë sepse është vend i pavarur, sovran, dhe Britania e ka ndihmuar në momentin kur kishte nevojë dhe meriton stabilitet, siguri dhe prosperitet. Dhe ne duam ta ndihmojmë gjithë atë agjendë sepse është ne interes të Kosovës, por edhe të Britanisë. Siç e dim ka forca dhe vende të tjera që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, duan që të ju shkaktojnë probleme këtyre vendeve. Ne e kemi parë sulmin e tmerrshëm këtu në shtatorin e vitit të kaluar. Unë mendoj që është e rëndësishme të punojmë me Qeverinë e Kosovës që të ndihmojmë në rritjen e ekonomisë, të ofrojmë stabilitet dhe siguri për vendet e tyre dhe të bëjmë të qartë se forcat tona janë të gatshme të marrin aksion për ta mbrojtur vendin nëse është e nevojshme”, ka thënë Cameron teksa fliste rreth Kosovës.
https://reporteri.net/lajme/foreign-office-shperndan-deklaraten-e-cameron-ne-film-city-ushtria-britanike-do-ta-mbroje-kosoven-nese-eshte-e-nevojshme/embed/#?secret=5gxwJKmTbz#?secret=WgckL3vgjS Pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, Britania e Madhe njoftoi për vendosjen e përkohshme të rreth 200 ushtarëve shtesë në KFOR, pas kërkesës nga NATO-ja. Këta 200 ushtarë i janë bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash në vend.
Kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 Shkurt 2008, Mbretëria e Bashkuar u bë një nga vendet e para që e njohu zyrtarisht Kosovën sovrane më 18 shkurt të vitit 2008.
David Cameron u emërua sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit më 13 nëntor 2023.
Ai ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe nga maji i vitit 2010 deri në korrik të vitit 2016. /Reporteri.net/