Hapet dosja e sigurimit sekret serb: Familja Gubetini nga Vushtrria u rrethua me 500 trupa okupuese, Nuredini u fut në bunar për t’u maltretuar, spiuni ishte bashkëfshatar i tij
Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholli, ashtu siç ka paralajmëruar para disa muajsh, tashmë ka nisur publikimin e dosjeve të sigurimit sekret të Jugosllavisë dhe Serbisë, përmes emisionit të tij që quhet “Detektori”
Ai tregon që, sipas dosjes, familja atdhetare e Nuredin Gubetinit nga Nadakofci i Vushtrrisë ishte familja e parë shqiptare që ishte në cak të vendimit politik të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, ku në rrethimin dhe përsekutimin e saj morën pjesë 500 pjesëtarë të milicisë, ushtrisë dhe civilëve.
“Më 31 mars dhe 1 prill 1990, ishte familja e Nuredin Gubetinit ajo e cila u gjend në shtetrrethim të okupatorit, ku ushtri dhe polici të asaj periudhe ia kishin mësy kësaj familje”, thotë Sheholli, raporton Veriu.info
Sheholli thotë se tortura çnjerëzore ndaj Nuredin Gubetinit dhe familjes së tij, ishte sepse dikush kishte informuar organet e sigurisë së atëhershme të okupatorit që kjo familje po bën inicimin dhe masivizimin e shqiptarëve për stërvitje ushtarake, shkruan Veriu.info
Sipas dosjes, persekutimi i familjes së Nuredin Gubetinit kishte për qëllim t’i frikësonte të gjitha familjet e tjera në Kosovë, sepse “nëse ia kemi bërë familjes Gubetini këtë, të keni kujdes së çka do t’iu ndodh të gjithë juve të tjerëve”.
“Maltretimet ndaj kësaj familje ishin çnjerëzore, Nuredin Gubetinin e kishin futur në bunar dhe e kishin maltretuar me ditë të tëra”.
Sheholli tregon se informatori që e kishte spiunuar familjen Gubetini, kishte nofkën “Rasha” dhe ishte pikërisht nga Nadakofci.
Për këtë rast të paparë dhe të parin në historinë okupuese të Millosheviqit ndaj shqiptarëve, ishte folur e raportuar edhe në Kongresin amerikan, kur aktivistja e atëherëshme Luljeta Pula dhe akademik Rexhep Qosja, informuan kongresistët për torturat e llahtashme ndaj familjes kësaj familje.
Kujtojmë se në vitin 2020, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte ndarë dekoratën “Urdhëri i Lirisë” për familjen e Gubetinit, dekoratë të cilën e kishte pranuar personalisht Nuredini me ceremoni zyrtare.