Hyjnë në grevë 250 punëtorë të UP-së, shkak pagat e ulëta
Sot kanë hyrë në grevë 250 punëtorë teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe të Qendrës Studentore për shkak të pagave të ulëta.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, gjersa theksoi se shkak i kësaj greve janë pagat e ulëta.
“Sot, nga ora 07:00 kanë hyrë në grevë 250 punëtorë teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe të Qendrës Studentore”, bëri të ditur Azemi.
Ai tha se këta 250 punëtorë do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndryshe, në fillim të muajit shkurt edhe rreth 120 punëtorë teknikë të shkollave fillore e të mesme në kryeqytet kishin nisur grevë. Për më shumë se një vit ata po kërkonin rritjen e pagave, njëjtë si punëtorët që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.
Por, pas disa ditë greve punëtorët teknikë të shkollave të kryeqytetit i janë kthyer punës, kjo pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës. /Telegrafi/