Kosova një pikë e zezë në hartën e Evropës. –Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i Parlamentit të Kosovës.
Pasojat e propagandës kundër shtetit, të këtyre qeveritarëve para dhe pas ardhjes në pushtet, tani po sjellin efektet domino. Kur udhëheqin njerëzit e këqij, marrin vendime të gabuara, atëherë populli e paguan çmimin e pasojave. Kjo po i ndodhë popullit të Kosovës aktualisht. Ata menduan se duke etiketuar dhe denigruar shtetin dhe çdo arritje politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe integrimeve, do të fitonin një pozicion të favorshëm dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare. Tani po përballen me mekanizma ideologjik të “revolucionit me shamia të kuq”, të cilët vetë i kanë krijuar me propagandë dhe kauza të rrejshme. Tani ata duhet të shërbehen edhe mëtej me gjuhë elektorale për të mbijetuar vetë-viktimizimin! Shikoni se si po bëhen investimet në infrastrukturë rrugore, arsim, shëndetësi, çështje sociale dhe për mundësi të barabarta punësimi (me rekomandime partiake), dhe në fushën e sigurisë në veçanti. Abuzim i pa parë me paranë publike dhe taksat e qytetarëve, i cili duhet hetuar nga organet përkatëse dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Një qeveri e përgjegjshme përgatitet gjithmonë për luftë, e ngrit dhe siguron sigurinë e saj, por nuk flasin hapur për luftë. Propaganda si mjet linçues, paranojat, dhe frikësimi i qytetarëve janë mekanizma për të mbajtur nën kontroll emocionet e qytetarëve, bashkë me varfërimin ekonomik si doktrinë dhe varësinë sociale, si mekanizëm i regjimeve të majta dhe totalitare, për të udhëhequr/sunduar më lehtë me qytetarët duke i mbajtur të lidhur me pushtetin. Nga Serbia, pritet gjithmonë luftë hibride dhe jo vetëm, por edhe konvencionale, në rastin e parë historik dhe politik, po t’iu jepet. Serbia ka vazhduar të angazhohet në luftë hibride në Kosovë që nga çlirimi në vitin 1999, duke filluar me organizimin e “Rojeve të Urës” deri te rasti i “Banjes”. Qeveria duhet të flasë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe për gatishmërinë luftarake nëse ka sinjale, dhe jo të flasë hapur për luftë. Prandaj, ky është një kërcënim i vjetër, sa ekzistenca e dy kombëve tona, dhe asnjë tregues ushtarak ose gjeopolitik nuk është ndryshuar, përveç përparësive të sojit neokomunist që po përhapen dhe po bëhen kërcënim për shfarosjen e qytetarëve, me pretekstin, nëse nuk i rivotojmë ata. Sa i përket natyrës së qeverisjes sonë, raportet ndërkombëtare për Kosovën, si ai i Freedom House dhe veçanërisht ai i Departamentit të Shtetit të SHBA, flasin me tone tejet shqetësuese. A nuk e vëren kjo qeveri se, me propagandën e revolucionit me shamia të kuqe dhe veprimet e tyre politike, po e bëjnë Kosovën një pikë të zezë në hartën e Evropës?!/www.QendraPress.com/