Çaste poetike me poeten;Imer HYSA
PER TY NJERI
———————————
Përpiqu fjalën ta zgjedhësh të artë
e buzëqeshjen ta dhurosh pa shtirje,
ta ruash gjakfohtësinë pa u ndezur flakë
dhe kur dëgjon përgojime pas shpine.
Përpiqu ti burrë që je baba
e mbi shpatulla ke barrë të rëndë,
djallin vrastar që brenda vetes mba
vrite, mos e lër të turbullojë mendtë.
Përpiqu ti grua me bashkëshort
e lartësuar me titull “nënë fëmije”,
dashurinë njerëzore ta ruash fort
si cipë të hollë virgjërie.
Ti pushtetar që të besojmë të ardhmen
shtrij dorën e ngrohtë, mos shit mend
në fund të fundit, nje ditë të afërt a të largët
në dhomën e errët do jeshë, në dy metra vend.
Ti bisnesmen që punëson njerëz
e djersen e tyre e kthen në ar për vete,
mos luaj me mundin, jo prirje për qejfe
të ngec në fyt, të mbyt ajo bulëz djerse.
Përpiqu o njeri, fjalën ta zgjedhësh të artë
e buzëqeshjen ta dhurosh pa shtirje,
ta ruash gjakftohtësinë pa u ndezur flakë
dhe kur dëgjon të përgojojnë pas shpine.
/www.QendraPress.com/