“Kosova ju pret me krahë t’hapur” – Kurti njofton mërgimtarët se nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit.
Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në Facebook, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.
“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti. Ndryshe, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar dje se bashkë me Ministrin Xhelal Sveçla, Guvernatorin e BQK’së dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, kanë nënshkruar marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë.