ALBANA RRUSHI – MEDITIM PËR KOHËN…
Ikja, largimi, shpërngulja, ndarja, përqafimi, lamtumira, janë kryefalja e këtyre ditëve, e muajve, e viteve të fundit. E pashë mbrëmë… U takuam te kafja… U takuam kur po dërgonte fëmijët në shkollë. Jo s’ka mundësi të jetë larguar?! Çdo ditë ndjej një boshllëk, një zbrazëti në shpirt. Bukuri që njeriu ka lëvizur dhe do të lëvizë për të parë, për të shëtitur, por jo kështu, pa kthim… Zbrazen qytete, fshatra me një apo dy – tre shtëpi apo fshatra që s’kanë më as emër pasi janë fshirë nga kujtesa e nga harta. Sa keq! Të duket sikur qyteteve u ka humbur shkëlqimi, u ka humbur drita, u ka humbur gjallëria. Po po gjallëria, sepse njerëzit i japin frymë, i japin jetë një qyteti. Liria e lëvizjes, të qenit qytetarë të lirë të botës së madhe, nuk na jep të drejtën, t’i kthejme shpinën kësaj toke, me emrin më të bukur Shqipëri! Ky vend, që Zoti e ka bekuar, ky vend që ka malet e larta e të thepisura, ka detin e kaltër, blu si qielli, ka liqene, pyje të gjelbëruara siç u këndoi Naimi, ka gjithçka por nuk ka njeriun e vet, nuk ka shqiptarë, nuk ka familjen e bashkuar, në ujë, sofër (ajo të ngop edhe pa ngrëne). Sheh vendet e huaja, mahnitesh me bukurite e tyre, por shumë shpejt, zemrën ta gërryen malli për tokën, për pragun, për portën (e cila hapet pa trokitur), për sofrën e cila ka gjithçka por s’ka dashuri brenda saj, s’ka ngrohtësi, i mungon Ti o njeri! Nuk e di pse, por edhe në qytetet e krizës së madhe, nuk i kishte shkuar mendja njeriu që të ikte kështu masivisht. Pse jo? Mos vallë ata e donin më shumë vendin tonë? Mos vallë ata ishin me patriotë? Jo, nuk e besoj! Ata qëndruan këtu në këtë tokë, në këto shtëpi, ku bukës i vjen era nënë, babë, sepse ishte e tyrja. Dhe ne sot duhet ta duam, ta zhvillojmë atdheun tonë, këtu, sepse të duash atdheun, do të thotë të duash lirinë, jetën gjuhën e shkruar me gërma të arta nga patriotët. Nuk di pse në mendje më erdhën disa vargje: “Kurbeti, shokë, kurbeti Kush vajti e nuk mbeti”… Apo skenat, ngjarjet e librit “Lëndina e lotëve”. Të mos e përsërisim historinë, kështu me lot, por me këngë, valle të diela dasmash, me oborret që gumëzhijnë nga zërat e vogëlushëve dhe jo klasa që mbyllen e pleq që përfundojnë në azil, sepse fëmijët jetojnë larg e ndoshta edhe varri rëndon për ta. Sa keq! Sa trishtim! Shtëpi që mbyllen, dyqane që ulin qepenat, qytete që bien në gjumin letargjik! Sa zbrazëti! E frikshme! Por ti o njeri, zgjohu! Fillo e jeto! Shikoje me zemër atë që të mungon nga kjo tokë, nga ky vend me emrin: Shqipëri. Të madh e të vogël nuk ka Për shpirtin që krijon gjithçka Kudo e kurdo vjen ai rrugën e drejtë e gjen… Kthehemi nga diku dhe me këtë kthim ne lidhim fjalën familje, shtëpi, gjak, nënë, baba. Vëtëm ketu e ndien se çdo gjë është e jotja, të përket ty, vetëm këta njerëz janë aty për ty, për të të mbështetur, për t’i dhënë fund kësaj ftohtësie, këtij dimri pafund. Kthehu njeri! Kthehu të mbushësh tryezën me trëndafila të bardhë si zemra e shqiptarit, të kuq si gjaku e liria e kërkuar ndër shekuj! Të mbushësh konakun me dashuri, shume dashuri!
Përgatiti Angela Kosta Akademike,
Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese
/www.QendraPress.com/