Totaj vizitë kompanisë evroTarget: Prizreni ka rikthyer interesin bizneseve vendore dhe të huaja

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, vizitoi kompaninë evroTarget, një nga punëdhënësit më të mëdhenj në sektorin BPO në rajon dhe pjesë e HORIZONTE-Group, e cila ka zgjeruar aktivitetin e saj duke hapur një njësi të re edhe në Prizren. Gjatë vizitës, Kryetari Totaj u takua me menaxhmentin e kompanisë dhe punonjësit, duke shprehur mbështetjen e institucioneve lokale për nisma të tilla që sjellin punësim dhe zhvillim ekonomik në qytet. “Fakti që kompani serioze si evroTarget zgjedhin të investojnë në Prizren, është dëshmi se kemi rikthyer besimin dhe interesin e bizneseve, si vendore ashtu edhe të huaja” – deklaroi Totaj. “Do të vazhdojmë të krijojmë kushte sa më të favorshme për sipërmarrje, sepse besojmë se zhvillimi ekonomik kalon përmes mbështetjes së sektorit privat” – shtoi Kryetari Totaj. Kompania evroTarget është e specializuar në shërbime të jashtme të operacioneve të biznesit (BPO) dhe aktualisht punëson qindra të rinj në mbarë rajonin. Kryetari Totaj theksoi se në mandatin e tij të dytë, prioritet do të jetë mbështetja e projekteve që gjenerojnë vende të reja pune dhe i japin formë një Prizreni modern e dinamik. “Kjo nuk është vetëm një vizitë, por një mesazh i qartë: Prizreni është gati për investime të mëdha dhe për një të ardhme ekonomike më të fuqishme” – përfundoi ai.